Pioli: Nuk është turp të të mundë Atalanta! Keqardhje si pësuam

schedule20:46 - 23 Janar, 2021

schedule 20:46 - 23 Janar, 2021

Stefano Pioli, trajneri i Milanit, pas ndeshjes së humbur kundër Atalantës foli dhe përgëzoi rivalët për triumfin. Sigurisht ka edhe keqardhje, sidomos për golin e parë që pësuan. “E nisëm mirë ndeshjen, me shumë lojtarë në sulm. Është zhgënjyese se si e pësuam golin e parë, pastaj i dyti mbylli gjithçka. Kishim shumë kohë, por nuk arritëm të gjenim rrugën për ta kthyer ndeshjen. Mund të kishim bërë më shumë.

E dinim se duhet të mbroheshim me kujdes. Markimi nuk ishte gjithashtu më i miri. Atalanta luajti më mirë se ne. Ndodh që të humbësh me një ekip të fortë. Pas golit të dytë e humbëm besimin. Kampionati është shumë i fortë dhe e dimë se është i vështirë, por jemi në krye dhe duam të themi fjalën tonë”.

DISFATAT DHE TITULLI – “Humbjet kundër Juventusit dhe Atalantës nuk janë turp. Kudo ka nivele të larta dhe Atalanta ishte fizikisht superior, kishte intensitet, fitoi duelet dhe topat e dytë. Ka shumë pak diferencë kur arrin në këtë nivel.

Do ta analizojmë humbjen dhe do përpiqemi të rritemi dhe të përqendrohemi te ndeshja e radhës. Kampionë dimri? Nëse kjo sjell fat të mirë, atëherë titulli është i mirëpritur. Ne e dimë se çfarë mund të bëjmë, e dimë se ku duhet të përmirësohemi dhe çfarë jemi në gjendje të bëjmë”. /abcnews.al