Pioli: Milan madhështor, këta djem kanë shpirt të madh sakrifice

schedule23:22 - 9 Maj, 2021

schedule 23:22 - 9 Maj, 2021

Milani mposhti 0-3 Juventusin në Torino, aty ku nuk kishte fituar një takim të Serie A prej marsit të vitit 2011 (0-1 me golin e Gattusos). Një sukses i madh për kuqezinjtë, të cilët morën tre pikë fantastike për objektivin Champions League.

Trajneri i “Djallit”, Stefano Pioli nuk i kurseu elozhet në prononcimin e dhënë për mediat. Moment feste, por asgjë nuk ka mbaruar, deri në fund kanë mbetur për t’u luajtur edhe tre ndeshje dhe Milani duhet të marrë edhe 9 pikë.

Zhvilluam një ndeshje madhështore. Ishte shumë e rëndësishme të fitonim një sfidë direkte në këtë moment dhe në këtë mënyrë, por duhet të luftojmë akoma për t’u rikthyer në Champions League. Asgjë nuk ka mbaruar.

Festova duke u rikthyer nga drejtuesit, pasi në këtë një vit e gjysmë ata kanë qenë shumë afër nesh dhe më kanë mbështetur shumë. Shpirti i sakrificës na ka sjellë fitoret që kemi arritur. Në aspektin mental jemi konsumuar disi dhe e kemi paguar një gjë të tillë.

Sonte e dinim që duhet të bënim diçka ekstra nga pikëpamja e bindjes për të bërë mirë e fituar. U treguam të shkathët, por edhe të fortë në duele. E kishim përgatitur ndeshjen për të qenë agresivë dhe kompaktë si skuadër.

Rrezikuam vetëm në momentit e inkursionit të Bentancur. Kur djemtë punojnë së bashku dhe sakrifikojnë në lojën pa top me një ritëm të kënaqshëm, kthehemi në një skuadër që e meriton të rikthehet në Champions League.

Ne kemi gjithmonë një strategji dhe i zgjedhim lojtarët në bazë të saj. Brahim Diaz dhe Calhanoglu ishin të shkëlqyer, por nuk mund të flasim për individë, sonte arritëm një fitore si grup. Jemi të lumtur për tifozët tanë“, përfundoi Pioli. /abcnews.al