Situata te Milani është e shkëlqyer. Skuadra e Stefano Piolit vjen pas dy fitoreve ndaj dy vendeve të para në Serie A (3-0 me Lazion dhe 4-2 ndaj Juventusit). Presidenti i klubit italian, Paolo Scaroni vlerëson shumë punën e trajnerit Stefano Pioli në prononcimin e dhënë për Corriere della Sera.
“Kundër Juventusit zhvilluam një ndeshje të paharrueshme, një nga ato që do mbahen mend për vite me radhë. Bisedova me Piolin pas ndeshjes dhe e komplimentova. Të gjithë lojtarët dhanë përshtypjen se janë pjesë e një ekipi të kompletuar, që zbavitet duke luajtur futboll.
Më duket se Pioli arriti të krijojë një skuadër të vërtetë. Trajneri i ardhshëm? Atë do e zgjedhë Gazidis dhe unë kam besim të plotë tek ai. Ivan do i marrë të gjithë përgjegjësitë në këtë rast. Kam raporte të shkëlqyera me Paolo Maldinin, por mos më pyesni mua nëse do të qëndrojë apo do të largohet“, deklaron presidenti i Milanit. /abcnews.al