Pioli: Atalanta super, Mandzukic gati. Shumë penallti për ne? Ka një shkak

schedule16:14 - 22 Janar, 2021

schedule 16:14 - 22 Janar, 2021

Milan-Atalanta është një nga duelet më të bukura të javës së 19-të në Serie A. Dy ekipet do të përballen mes tyre në “San Siro” ditën e shtunë, sfidë që nis prej orës 18:00. Një test i vështirë për ekipin kryesues, teksa trajneri Stefano Pioli preku disa tema të ndryshme në konferencën për shtypin.

Atalanta është një skuadër e fortë, ata meritojnë komplimente. Nesër do të futemi në fushë për të fituar, nevojitet një ndeshje plot intensitet për t’ia dalë. Kemi shumë respekt për Atalantën. Luajnë në Champions prej dy vitesh dhe po bëjnë një punë të shkëlqyer.

Ata nuk i kanë fituar dy ndeshjet e fundit në kampionat, kjo tregon se Serie A është shumë kompetitive. Do të përballen dy ekipet me numrin më të madh të dueleve, kështu që prisni një përballje shumë fizike nesër.

Mandzukic? Mario ka një gjendje të mirë fizike, edhe pse ritmi i ndeshjeve i mungon. Mund ta aktivizojmë menjëherë. Kishim dy opsione: ta lejonim të punonte 4 javë ose ta aktivizonim direkt. Kemi zgjedhur opsionin e dytë, është gati për nesër.

Ai e njeh kampionatin dhe është përshtatur shpejt. Ekziston mundësia t’i aktivizoj bashkë me Ibrën, ai me këtë ide erdhi te ne, por Mario ka nevojë të gjejë ritmin dhe të përmirësojë gjendjen e tij fizike. Duam të kemi sa më shumë alternativa, nuk duam t’i japim pika referimi kundërshtarëve.

 

Festa pas një fitore

Dy janë vlerat e shtuara të këtij Milani: vazhdimësia e rezultateve pozitive dhe bindja që kemi krijuar te forca dhe kualiteti ynë. Ky është sekreti ynë. Objektivi ynë nuk ndryshon, duam të renditemi në një nga katër vendet e para në kampionat. Po luajmë një futboll ofensiv, kalojmë shumë kohë në zonën kundërshtare.

Ky është shkaku pse kemi fituar shumë penallti dhe kemi goditur shumë herë shtyllat dhe traversat. Theo? Jam i lumtur që e kam përsëri në dispozicion. Ka humbur një javë stërvitje, por kishte nevojë për t’u çlodhur. Dalot e ka zëvendësuar mirë, por Theo na jap shumë zgjidhje në dy fazat e lojës.

Merkato? Tomori është një lojtar agresiv dhe i shpejtë. Deri tani e kam parë vetëm në video, por kam krijuar përshtypje pozitive për të. Duhet ta njohim më mirë dhe t’i japim kohën e duhur për t’u përfshirë në mekanizmat tona.

Calabria dhe Leao? Meritat kryesore të rritjes së Calabrias janë të tijat. Nuk e humbi kurrë besimin te vetja, e meriton plotësisht besimin tim, kjo falë paraqitjeve shumë të mira në fushë dhe në stërvitje. Po flasim për një lojtar shumë inteligjent, ka vizion loje dhe rrallë e sheh të gabojë. Jemi të kënaqur me të.

Leao po luan më shumë si sulmues dhe mendërisht është fokusuar më shumë te gjetja e golit. Po mendon të jetë sa më shumë brenda zonës kundërshtare dhe të jetë efikas përpara portës. Ka kualitetin për të dribluar kundërshtarin dhe për të qenë vendimtar për ne“, përfundoi trajneri i Milanit. /abcnews.al