Rrugëtimi artistik i Anastas Konstandinit apo Tasos siç miqtë e njohin nisi dhe vijon pandërprerë në qytetin e liqenit, Pogradec. Ka lindur për të qenë piktor. Thotë se gjë tjetër nuk mund të bënte në jetë. Në rugën e artit nuk hyri rastësisht. Që në vegjëli rrethohej nga ngjyrat. Me nostalgjinë kujton atë kohë kur gjyshja e tij end qilimat, apo tezja modelon fustanet e vajzave dhe grave pogradecare. Ka qenë pikërisht ky ambient familjar që ushqeu fantazinë fëminore të Tasos, për t’i kushtuar gjithë jetën artit figurativ.
Ka qenë 14 vjeç kur çeli ekspozitën e tij të parë duke ia kushtuar tërësisht heroit kombëtar, Skënderbeut. Me piktura e skulptura për heroin kombëtar Taso fitoi të drejtën për të studiuar në Lice, por rrugën ia vështirësuan. Rrugëtimi artistik i Anastas Konstandinit, nuk mund të mos ndikohej nga personalitetet e qytetit të tij, Lasgush Poradeci e Mitrush Kuteli.
Me Lasgush Poradecin familja e tij kishte miqësi të hershme. Si të veçantë kujton një takim në Tiranë me poetin. Ishte vetë poeti që i besoi skicimin e disa poezive kur Taso ishte i ri në moshë. Anastas Konstandini është i vetmi ndër piktorët që ka mundur t’i bëjë një portret gjeniut të letërsisë shqipe. Emocionet e përgjegjësia ishin të mëdha.
Portretin e realizoi në vitin 1985, dy vite para se poeti të ndahej nga jeta. Taso thotë se ato kohë Lasgush Poradeci që ditet e kalonte në shtrat fliste me të gjalle e të vdekur. Përveç portrëtit në ditët e qëndrimit të poetit ka pikturuar edhe dhomën e tij. Bie në sy thjeshtësia, motivet popullore e orenditë e pakta. Një tablo Taso i ka kushtuar edhe piktorit që ka ndikuar në rrugëtimin e tij, Vangjush Mios.
Megjithëse ka pasur shumë mundësi, në të dyja periudhat e krijimtarisë së tij, para dhe pas vitit 1990, për t’u larguar nga Pogradeci, Taso i cili njihet si autor i tablove, grafikeve, mozaikeve, e instalacioneve të ndryshme zgjodhi të qëndrojë në qytetin e lindjes, jashtë tij thotë se nuk do ta kuptonin as atë dhe veprat e tij./abcnews.al


