Luis Suarez feston 33-vjetorin e lindjes janarin e ardhshëm. Uruguaiani mbetet një nga sulmuesit më të mirë në planet, por nuk premton edhe shumë sezone në nivele të larta. Barcelona po monitoron prej kohësh për zëvendësuesin e tij, por nuk dëshiron të nxitohet.
Gjithsesi, kampionët e Spanjës kanë një lojtar të preferuar. Calciomercato raporton se dëshira e madhe quhet Lautaro Martinez. Argjentinasi po bën mirë me Interin dhe deri në këtë pikë të sezonit ka shënuar pesë gola mes kampionatit dhe Champions League.
22-vjeçarit i mjaftuan dy minuta për të gjetur golin në përballjen Barcelona-Inter. Ai ka një kontratë deri në vitin 2021 me zikaltrit dhe klauzola e largimit është 111 milionë euro. Interi po punon për t’i dhuruar një rinovim edhe për tre vite të tjera dhe shpreson që të vendosë një klauzolë prej 150-200 milionë eurosh. /abcnews.al