Pezullohet puna e dy HEC-eve në Valbonë, aktivistja amerikane: Për gjërat me vlerë do të luftojmë gjithmonë

schedule21:02 - 11 Nëntor, 2021

schedule 21:02 - 11 Nëntor, 2021

Të martën në mesditë, përmbarimi ka pezulluar kontratën e koncensionit për ndërtimin e dy hidrocentraleve në lumin Valbonë. Pezullimi i punës në këto hidrocentrale vjen pas një beteje disavjeçare nga banorët e zonës së Valbonës të cilët arritën një fitore kur kolegji administrativ i Gjykatës së Lartë vendosi si masë sigurie pezullimin e kontratës së koncensionit për HEC-et “Dragobia” dhe “Ceremi”.

Vendimi është marrë pesë vjet pas dorëzimit të padisë nga një grup banorësh të Valbonës dhe shoqata Toka. Këtë lajm të mirë për ekosistemin e lumenjve të prekur, aktivistja amerikane që jeton në veri të vendit Catherine Bohne e komentoi duke thënë se qesh mirë ai që qesh i fundit.

“E dija që nuk do të fitonim lehtë, për mua është super. Duket se kanë filluar gjërat që të lëvizin shumë shpejt dhe ky është një lajm shumë i mirë,” shprehet ajo.

Aktivistja tregon se priste që çështja të zvarritej edhe për 3-4 vite të tjera.

“Kjo çështje ka kaluar në Gjykatën e Apelit në mars, me vendimin e parë u deshën katër vite, kurse tani katër muaj.”

Catherine Bohne tha se kanë kaluar gjashtë vite dhe beteja e tyre do të vazhdojë sepse “është e drejtë.” Ajo shpjegoi se do të vijojnë me monitorimin, ndërsa shtoi se me heqjen e digave do të kthehet edhe shëndeti i lumenjve. /abcnews.al/

Mos rri jashtë: bashkohu me ABC News. Ne jemi kudo!