Pezullohet nga detyra prefektja e Fierit/ Ish-kryetarja e bashkisë Patos dyshohet për shkelje të barazisë në tendera

schedule18:00 - 9 Mars, 2024

schedule 18:00 - 9 Mars, 2024

Gjykata e Posaçme e Shkallës së Parë për Korrupsionin dhe Krimin e Organizuar ka pezulluar nga detyra Rajmonda Balilin, prefekten e qarkut Fier.

Balili, ish kryetare e bashkisë Patos dyshohet për veprën penale “Shkelja e barazisë së pjesëmarrësve në tendera”, e kryer në bashkëpunim.

Masa ndaluese “Pezullimi i ushtrimit të një detyre a shërbimi publik” është vendosur edhe për 6 persona të tjerë zyrtarë te bashkisë Patos.

Rezulton se ish Kryetarja e Bashkisë Patos dhe anëtarët e Komisionit të vlerësimit të ofertave në bashkëpunim mes tyre kane favorizuar në kundërshtim me ligjin dhe kane shpallur fitues një operator ekonomik për ndërtimin e një muri mbajtjes në Dukas-Breg. Nga dokumentacioni i dorëzuar nga ofertuesit, e parë kjo në raport me kriteret e vendosura në Dokumentet Standarde të Tenderit, duhej të ishte shpallur fitues një operator tjetër.

Hetimet zbuluan se Balili ka ndërmarrë një sërë hapash nëpërmjet punonjësve të Bashkisë, për të legjimituar anulimin e procedurës së tenderimit, pikërisht për të mos u shpallur fitues operatori qe plotësonte kriteret.

/abcnews.al/

Mos rri jashtë: bashkohu me ABC News. Ne jemi kudo!