Kryeministri në detyrë i Kosovës, Albin Kurti, ka dorëzuar sot në Gjykatën Kushtetuese përgjigjen në emër të Qeverisë në lidhje me kërkesën për vendosjen e masës së përkohshme ndaj dekretit të Presidentit Nr. 24/2020 të datës 30.04.2020.
Në reagimin e tij Kurti thekson se qeveria ka mbështetur kërkesën e deputetëve për vendosjen e masës së përkohshme dhe vlerësoi vendimin e Gjykatës për aprovimin e kërkesës së tyre për pezullimin e dekretit të Presidentit.
“Qeveria konsideron që vendosja e masës së përkohshme është në interesin publik dhe gjithashtu i shërben administrimit të drejtësisë. Megjithatë është e nevojshme të kujtojmë që ky pezullim nuk e predikon vendimin përfundimtar të Gjykatës.
Kështu që është tejet e rëndësishme që të mos entuziazmohemi, të rrimë të fokusuar në drejtim të qëllimit tonë për menaxhimin sa më të mirë të situatës me pandeminë COVID-19”, u shpreh Kurti.