Petrov kampion Europe me Shqipërinë, e uron edhe presidenti Meta

schedule13:57 - 16 Dhjetor, 2020

schedule 13:57 - 16 Dhjetor, 2020

Matvei Petrov, 30-vjeçari që përfaqësonte Shqipërinë,  u shpall kampion në Kampionatin Europian të Gjimnastikës, në disiplinën e kaluçit me mbajtëse. Atleti me origjinë nga Rusia grumbulloi më shumë pikë se të gjithë kundërshtarët e tij dhe arriti të marrë medaljen e artë në turneun e organizuar në Mersin, Turqi.

Petrov la pas në këtë garë kundërshtarin e tij kroat dhe në vendin e tretë u rendit gjimnasti turk. Suksesi i tij nuk ka kaluar pa u vënë re edhe nga presidenti i Republikës së Shqipërisë, Ilir Meta. Në rrjetet sociale ai ka postuar një mesazh falënderues për gjimnastin dhe trajnerin e tij, Alon Hasa.

“Urime të përzemërta atletit tonë, Matvei Petrov, për shpalljen e Shqipërisë, për herë të parë, Kampione Europe në Gjimnastikë!  Një sukses i merituar dhe një ngjarje e madhe historike për sportin shqiptar, që meriton vlerësimet më të larta!

Le të shërbejë ky rekord, për ringritjen e gjimnastikës tonë, që ka patur një traditë të shkëlqyer. Urime trajnerit Alon Hasa dhe gjithë atletëve të gjimnastikës për këtë arritje të çmuar, që na bën krenar të gjithëve”, shkruan Meta. /abcnews.al