Zëdhënësi i BE-së për politikë të jashtme dhe siguri, Peter Stano, ka thënë se kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, dhe presidenti serb, Aleksandër Vuçiç, janë pajtuar mbi propozimin e Bashkimit Evropian për normalizimin e marrëdhënieve Kosovë-Serbi.
Ai ka thënë se nuk pritej që të hënën në Bruksel të nënshkruhej diçka, por se gjithçka u realizua ashtu që të diskutohej propozimi. Stano u pyet gjatë konferencës të enjten nëse janë pajtuar liderët e dy shteteve fqinje mbi marrëveshjen dhe pse nuk u nënshkrua një dokument.
Kurti ka thënë të hënën se ai ishte i gatshëm ta nënshkruante marrëveshjen, por se Vuçiçi nuk ishte. Kurse, Vuçiçi ka thënë se nuk ka dashur të nënshkruar. Takimi i radhës mes Kurtit dhe Vuçiçit pritet të mbahet më 18 mars në Maqedoninë e Veriut.