Drejtori i të ashtuquajturës zyre serbe për Kosovën, Petar Petkoviç, ka deklaruar se Albin Kurti do të sjellë pasoja të paparashikueshme për normalizimin e marrëdhënieve të Beogradit dhe Prishtinës. Deklarata e tij vjen në vazhdën e sulmeve për Prishtinën.
“Sjellja e Albin Kurtit do të sjellë deri te pasojat e paparashikueshme për normalizimin e marrëdhënieve të Beogradit dhe Prishtinës”, shkruan në kumtesën e të ashtuquajturës zyre serbe për Kosovën.
“Përpjekjet e Albin Kurtit që plotësisht të ndalohen zgjedhjet e ardhshme parlamentare dhe presidenciale në Kosovë më 3 prill, dhe në këtë mënyrë të shfuqizohen të drejtat elementare njerëzore dhe qytetare për serbët, do të çojnë në pasoja të paparashikueshme për normalizimin e marrëdhënieve ndërmjet Beogradit dhe Prishtinës”, ka deklaruar Petkoviç.
Ai ka thënë se “një skenar i tillë i Kurtit do të kthente prapa progresin e arritur në dialogun ndërmjet Beogradit dhe Prishtinës ndër vite dhe për këtë duhet të jenë të vetëdijshëm të gjithë përfaqësuesit ndërkombëtarë që veprojnë në Kosovë”.
“Synimi i hapur shkatërrues i Kurtit për të anuluar dhe shkelur të gjitha marrëveshjet e arritura deri më tani është i dukshëm, por pyetja është nëse bashkësia ndërkombëtare do të shikojë sërish me qetësi politikanët shqiptarë se si janë duke luajtur me normalizimin e marrëdhënieve apo këtë herë do të kalojnë nga fjalët dhe deklaratat në vepra konkrete”, ka thënë Petkoviç.
“Populli serb në Kosovë pret që më 3 prill të mund ta ushtrojë të drejtën e votës, në mënyrë identike siç ka qenë në të gjitha proceset zgjedhore deri më tani”.
“Prandaj, këto zgjedhje janë shansi dhe testi i fundit për komunitetin ndërkombëtar, i cili ka përgjegjësi dhe obligim absolut që të sigurojë zbatimin dhe respektimin e arritjeve dhe parimeve demokratike dhe t’i mundësojë popullit serb në Kosovë të ushtrojë të drejtën e votës”, shkruan në kumtesën e të ashtuquajturës zyre serbe për Kosovën.
Kujtojmë se shefja e Grupit Parlamentar të Lëvizjes Vetëvendosje, Mimoza Kusari-Lila ka deklaruar se nuk do të lejohet organizimi i zgjedhjeve presidenciale të Serbisë në Republikën e Kosovës.