Pësoi infarkt, mjeku shqiptar rrëfen momentin kur shpëtoi irlandezin në avion

schedule09:00 - 21 Dhjetor, 2021

schedule 09:00 - 21 Dhjetor, 2021

Kristo Papa, mjeku shqiptar që punon në spitalin “Royal Brompton” në Angli, ka ndërmarrë një nismë mjaft të veçantë për të ndihmuar shumë familje dhe fëmijë shqiptarë që përballen me probleme shëndetësore. “Një zemër për shqiptarët” quhet fondacioni i kardiologut të mirënjohur, për të cilin ndau më shumë detaje gjatë një interviste që dha për emisionin “Abc-ja e mëngjesit”.

Sipas mjekut, kjo iniciativë ofron një ndihmë të madhe për shumë qytetarë të cilët mund të kenë nevojë për ndihmë të specializuar në spitale të ndryshme. Më tej, ai shprehu dëshirën për të bashkëpunuar me autoritetet shqiptare në mënyrë që të ketë mundësinë për të kryer dhe transplante të zemrës.

“Kam filluar këtë iniciativë bashkë me ekipin e Spitalit të Veronës sepse patëm shumë kërkesa nga Kosova për fëmijët që lindin me sëmundje në zemër. Isha një nga mjekët që desha të jepja këtë kontribut për fëmijët. Kardiologët në Kosovë na thanë se numrat janë të larta por për fat të keq nuk kishin infrastrukturë.

Organizova ekipin e Veronës dhe desha të sillja sa më shumë fëmijë për t’i operuar në Verona. Po nuk u operuan brenda ditëve të para, janë të destinuar që të humbin jetën. Thashë dua të shpëtoj sa më shumë fëmijë dhe arrita që deri më sot kemi bërë rreth 250 operacione.“, tha ai.

Ai tha se nuk janë fokusuar vetëm te fëmijët por dhe tek të rriturit. “Përpiqemi që të zgjedhim rastet më të vështira dhe të shikohet mundësia që nëse mund të operohen në Britani ose në vendet që kanë anë logjistike. Një gjë që besoj unë në të ardhmen mbase me bashkëpunimin e ministrisë së Shëndetësisë por dhe me dashamirësit shqiptarë, kam ëndërr që të bëhen transplante të zemrës.”, u shpreh ai.

Papa foli mes të tjerash për momentin ku arriti t’i shpëtonte jetën një pasagjeri të avionit ku udhëtonte bashkë me bashkëshorten. Ai tregoi se personi në fjalë kishte pësuar infarkt dhe se kishte arritur ta shpëtonte falë ndihmës së shpejtë derisa kishin mbërritur në aeroport.

“Më thanë që një pacient irlandez kishte humbur ndjenjat dhe kishte rënë. Kam nxituar, unë isha në mesin e avionit, ai ishte në karriget e para. Kishte pësuar infarkt, kisha çantën me pajisjet, pashë që nuk kishte puls, kisha mjekimet dhe fillova manovrat reaminatore. Thashë sa larg jemi nga aeroporti më i afërt, më thanë po të sforcoj motorët mund të arrij për 20 në Verona.

Thashë se dua të flas me qendrën e aeroportit, do të më lidhësh në telefon me emergjencën e Veronës. Ka qenë një pacient që kishte pasur më përpara probleme kardiake. Ishte fati i tij në një kohë kaq të shkurtër. Varet dhe si bëhet masazhi, nëse je efikas, dhe kjo mësohet në praktikë.”, tregoi ai. /abcnews.al