Pësoi dëmtim por mjekët s’e gjenin dot çfarë kishte, Cikalleshi tregon momentin e vështirë që e largoi 1 vit nga futbolli

schedule09:10 - 12 Maj, 2022

schedule 09:10 - 12 Maj, 2022

Gjatë intervistës që dha për emisionin “Abc-ja e mëngjesit”, Sokol Cikalleshi foli gjithashtu për një dëmtim që kishte pësuar në fillimet e karrierës. Kjo e kishte bërë që të largohej për 13 muaj nga sporti pasi doktorët nuk kishin arritur të gjenin problemin që kishte. Ai tregoi se rastësisht kishte takuar një ish futbollist në Itali, i cili i kishte sugjeruar një doktor që kishte punuar me shumë futbollistë. Siç tha ai, rezultoi që problemin e kishte me dhëmbët.

“Është një histori e gjatë dhe dramatike për mua dhe familjen sepse isha 20 vjeç kur kisha kulmin si një talent i ri.  Ndodhi një dëmtim që zgjati 13 muaj. Kisha një dëmtim në rrëzë të kofshëve dhe doktorët nuk gjenin nga vinte. Kam shkuar në Gjermani, Itali por nuk kisha zgjidhje. Erdhi një moment që e lashë sportin sepse nuk po gjeja zgjidhje. Isha në Itali te motra. Një ditë në palestër takova një person.

Kishte qenë ish futbollist dhe më tregoi një doktor në Venecia që ishte marrë me shumë futbollistë. Më bëri një kontroll, kisha dhimbje të muskujt. Nuk mund të vrapoja dhe mezi ngrihesha në mëngjes. Më bëri të gjitha kontrollet dhe më tha atë që më kishin thënë dhe të tjerët.  Atëherë më tha t’i mund të kesh probleme te koka pse të këmbët poshtë që të godet në pikën më të dobët të trupit. E kisha te dhëmbët.

I hoqa dhe për tre ditë më futi në fushë. Më çoi te dentisti, hoqa 4 dhëmballë syri dhe më tha të shkoj të luaj. E kishte klinikën në katin e katërt dhe më tha ik poshtë dhe ngjitur me vrap. Ishte një moment shumë i vështirë dhe i bukur njëkohësisht. U riktheva te Tirana, e cila më mori në një moment të vështirë. Për 6 muaj shkova në Korenë e Jugut.”, tha ai.

Pas problemit shëndetësor, ai u rikthye në sport, kur dhe mori ofertën për në Korenë e Jugut. “Sapo isha kthyer pas dëmtimit. Nga ana financiare nuk isha mirë sepse pata shumë shpenzime për shkak të dëmtimit. Shfrytëzova ofertën. Ishte finalja e kupës Tirana-Skënderbeu dhe një menaxher serb më ofroi kontakte në Korenë e Jugut. Më ofruan shumë të mirë dhe nuk e mendova gjatë. Nuk pata suksesin që prisja. U riktheva te Kukësi dhe fillova përsëri ngritje në karrierë.”, tregoi ai. /abcnews.al

Mos rri jashtë: bashkohu me ABC News. Ne jemi kudo!