Ka nisur sot në Dhomat e Specializuara të Kosovës në Hagë seanca e deklaratave hyrëse në rastin kundër Hashim Thaçit për pengim të drejtësisë.
Është prokuroria që fillimisht shpalos qëndrimin e saj dhe paraqitjen e provave, ndërsa mbrojtja e ish presidentit nuk ka pranuar të flas në fillim të këtij gjykimi.
Sipas aktakuzës, ish-presidenti i Kosovës, Hashim Thaçi, dyshohet se ka bashkërenduar “tri grupe të veçanta” për të ndikuar në dëshmitë e dëshmitarëve të Prokurorisë së Specializuar në rastin kundër tij dhe ish-eprorëve të tjerë të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, Kadri Veseli, Jakup Krasniqi dhe Rexhep Selimi, që akuzohen për krime lufte dhe krime kundër njerëzit.
Aktakuza pretendon se veprat penale kundër administrimit të drejtësisë janë kryer nga 12 prilli 2023 deri më 2 nëntor po atij viti, gjatë vizitave jo të privilegjuara në objektin e paraburgimit në Hagë mes Thaçit dhe personave të tjerë të akuzuar.
Së bashku me të, e njejta akuzë rëndon edhe për ish-ministrin e Drejtësisë, Hajredin Kuçi, ish-shefin e Agjencisë së Kosovës për Inteligjencë, Bashkim Smakaj, ish-kryetarit të Malishevës, Isni Kilaj, dhe veteranit të UÇK-së, Fadil Fazliu.
Nga pesë të akuzuarit në rastin kundër pengimit të drejtësisë, vetëm ndaj Hashim Thaçit ka masë paraburgimi, ndërsa të gjithë të tjerët po procedohen të lirë.
Në aktakuzën janë përshkruar takimet që Thaçi ka zhvilluar me katër të akuzuarit e tjerë në qendrën e paraburgimit në Hagë dhe aty pretendohet se ai u ka dhënë udhëzime se si të dëshmojnë dëshmitarët në rastin kundër tij.
Prokuroria po ashtu pretendon se gjatë bastisjeve që ka kryer në Kosovë, disa të akuzuarve u ka gjetur dëshmi, si lista me emra dëshmitarësh apo edhe udhëzimet se si ata duhej të dëshmonin.
Për akuzën pengim i drejtësisë, Thaçi është deklaruar i pafajshëm përmes një deklarate me shkrim më 6 janar 2025, ndërsa Gjykata Speciale e konfirmoj akuzën më 29 nëntor të vitit 2024.


