Një 40-vjeçar ka rënë në prangat e policisë, pasi ka kryer 5 vjedhje të ndryshme në Tiranë brenda muajit gusht. Ai vidhte sende të ndryshme dhe ia jepte një 41-vjeçari t’i shiste në dyqanin e tij.
Falë investigimeve të forcave blu është bërë i mundur arrestimi i të dy shtetasve.
Njoftimi i Policisë:
Tiranë/Finalizohet nga Komisariati i Policisë Nr. 1, operacioni policor i koduar “The runner”.
Autor i dyshuar për 5 vjedhje të ndryshme, 3 prej tyre të kryera me dhunë, kapet dhe vihet në pranga 40-vjeçari.
Gjithashtu, në pranga një 41-vjeçar që përvetësoi sendet e vjedhura nga 40-vjeçari.
Sekuestrohen një varëse dhe një aparat celular, të dyshuar të vjedhur.
Shërbimet e Komisariatit të Policisë Nr. 1, në vijim të punës për parandalimin e vjedhjeve, zbardhjen e atyre të ndodhura më parë dhe vënien e autorëve përpara përgjegjësisë ligjore, pas një pune të mirëfilltë hetimore, kanë organizuar dhe finalizuar me sukses operacionin policor të koduar “The runner”.
Në kuadër të këtij operacioni u bë arrestimi i shtetasve:
– 40 vjeç, banues në Tiranë, për veprat penale “Vjedhja” dhe “Vjedhja me dhunë”;
– 41 vjeç, banues në Tiranë, për veprën penale “Përvetësimi i parave ose mallrave që rrjedhin nga vepra penale apo veprimtaria kriminale“.
Nga veprimet hetimore dyshohet se shtetasi 40 vjeç, gjatë muajit gusht, ka kryer 5 vjedhje të ndryshme, 3 prej të cilave me dhunë, konkretisht:
– Më datë 02.08.2023, ka vjedhur sende personale në një automjet, në rrugën “Ali Demi”;
– Më datë 10.08.2023, i ka vjedhur me dhunë çantën një shtetaseje, në rrugën “Ali Demi”;
– Më datë 11.08.2023, ka vjedhur një ekran (monitor) në një biznes, në Rrugën e Elbasanit;
– Më datë 16.08.2023, i ka vjedhur me dhunë nga qafa varësen e floririt një shtetaseje, në rrugën “Xhanfize Keko”, si dhe i ka vjedhur me dhunë aparatin celular një shtetasi, në Rrugën e Elbasanit.
Gjatë dokumentimit të plotë ligjor të vjedhjeve të kryera nga 40-vjeçari, ka rezultuar se sendet e vjedhura prej tij i përvetësonte shtetasi 41 vjeç, i cili i shiste në dyqanin e tij.
Në cilësinë e provës materiale u sekuestruan një varëse dhe një aparat celular, të dyshuar të vjedhur.
Materialet i kaluan Prokurorisë pranë Gjykatës së Rrethit Gjyqësor të Juridiksionit të Përgjithshëm Tiranë, për veprime të mëtejshme procedurale.