Pesë vite burg për kanosjen e policit me armë, Bilbili ende nën hetim për “masakrën e Lushnjës”

schedule10:30 - 10 Mars, 2021

schedule 10:30 - 10 Mars, 2021

Gjykata e Tiranës ka dënuar me 5 vite burgim Orges Bilbilin.

Bilbili është shpallur fajtor për armëmbajtje pa leje dhe kanosje për shkak të detyrës të punonjësit të policisë lidhur me ngjarjen e 10 prillit të vitit që shkoi. Por sa u përket atentateve që kanë terrorizuar Lushnjën, ai vijon të jetë nën hetim. Bilbili po hetohet nga SPAK dhe po gjykohet në GJKKO për akuzën e grupit të strukturuar kriminal, bashkë me Anterio Kaloshin dhe Laert Haxhiun për masakrën e Lushnjës.

Policia është e bindur se Orges Bilbili është një nga tre autorët e dyshuar të disa vrasjeve që vitet e fundit kanë terrorizuar banorët e qytetit të Lushnjës.

Së bashku me Laert Haxhiun dhe Anterio Kaloshin, të njohur nga policia, Orgesi dyshohet të jetë përfshirë në një seri vrasjesh, të ardhura si kundërpërgjigje ndaj krimeve të bandës së Lushnjës, që dikur drejtohej nga Alfred Shkurti.

Dyshohet se në “masakrën e Lushnjes”, Bilbili, Kaloshi dhe Haxhiu synonin të vrisnin nipin e Aldo Bares, Xhulio Shkurti, por mbetën të vrarë Jurgen Hoxha, Zamir Latifi, dhe u plagos pronari i lokalit ku ndodhi ngjarja.

Gjithashtu, është gjetur fajtor nga gjykata pas përfshirjes në ngjarjen e vjetër të 10 majit 2014, kur në rërën e Divjakës ngeci një avion i drejtuar nga italiani Xhorxhio Riformato, me anë të të cilit do të transportohej një sasi marijuane në drejtim të Italisë. sb/abcnews.al/

Mos rri jashtë: bashkohu me ABC News. Ne jemi kudo!