Pesë luftëtarë të Hezbollah dhe të lëvizjes së saj aleate Amal u vranë nga sulmet izraelite në Libanin jugor gjatë natës.
Sulmet pasuan një seri incidentesh të përgjakshme përgjatë kufirit midis Libanit dhe Izraelit, ku përleshjet mes Hezbollah dhe forcave izraelite janë shtuar, duke rritur frikën për një përshkallëzim të mëtejshëm.
Sipas informacioneve, forcat ajrore izraelite kryen sulme kundër pesë fshatrave në Libanin jugor gjatë natës.
Lëvizja Shia Amal, e udhëhequr nga kryetari i parlamentit Nabih Berri, njoftoi vdekjen e tre anëtarëve të saj në një sulm në një shtëpi në fshatin al-Qadara.
Nga ana e tij, Hezbollahu vuri në dukje se dy nga luftëtarët e saj u vranë. Hezbollahu njoftoi të enjten mbrëma se kishte lëshuar dhjetëra raketa në veri të Izraelit në përgjigje të sulmeve ajrore izraelite të djeshme që vranë 15 njerëz.
Dhjetë civilë dhe pesë anëtarë të Hezbollah, duke përfshirë një komandant ushtarak, u vranë ditën e djeshme në Liban. Nga ana izraelite, një ushtar u vra nga një raketë e lëshuar nga Libani. Për momentin, asnjë organizatë nuk ka marrë përgjegjësinë.
E mërkura ishte dita më e përgjakshme në më shumë se katër muaj, kur filloi përleshja mes Hezbollah dhe ushtrisë izraelite. Lëvizja shiite ka hapur frontin e saj jugor të Libanit për të mbështetur aleatin e saj Hamasin, i cili ka qenë në luftë me Izraelin në Rripin e Gazës që nga 7 tetori.
Sekretari i Përgjithshëm i Hezbollah, Hassan Nasrallah pritet të mbajë një fjalim të ri sot, i dyti i tij këtë javë. Që nga 7 tetori, të paktën 268 njerëz, kryesisht luftëtarë nga Hezbollah dhe organizata të tjera, por edhe 40 civilë janë vrarë në Libanin jugor.
Nga ana izraelite dhjetë ushtarë dhe gjashtë civilë janë vrarë, sipas ushtrisë.
/abcnews.al