Sondazh

Vendimi i Hagës:

Shiko rezultatet

Loading ... Loading ...
 

Pesë arsye pse imuniteti i tufës ndaj COVID-19, do të jetë ndoshta i pamundur të arrihet

schedule10:21 - 22 Mars, 2021

schedule 10:21 - 22 Mars, 2021

Nga Christie Aschwanden, Nature

Ndërsa normat e vaksinimit kundër Covid-19 po rriten në mbarë botën, njerëzit kanë filluar që të pyesin:Edhe për sa kohë do të zgjasë kjo pandemi? Është një pyetje që rrethohet nga shumë pasiguri. Por ideja dikur e njohur, se në fund shumë njerëz do të fitojnë imunitet ndaj SARS-CoV-2 duke e penguar shumicën e transmetimeve – pra një prag i imunitetit të tufës – ka filluar që të duket si e pamundur.

Shumica e vlerësimeve flisnin për një prag 60-70 për qind të popullatës që fiton imunitet, ose përmes vaksinimeve apo ekspozimit ndaj virusit. Por ndërsa pandemia po hyn në vitin e dytë, mendimet e ekspertëve kanë nisur të ndryshojnë për shkak të 5 arsyeve të mëposhtme.

  1. Është ende e paqartë nëse vaksinat parandalojnë transmetimin e virusit

Vaksinat anti-Covid të zhvilluara nga Moderna dhe Pfizer-BioNTech, janë jashtëzakonisht efektive në parandalimin e sëmundjes simptomatike. Por mbetet e paqartë nëse ato i mbrojnë njerëzit nga infektimi, apo nga përhapja e virusit tek të tjerët. Dhe kjo gjë është problem për imunitetin e tufës.

“Imuniteti i tufës është i rëndësishëm vetëm nëse kemi një vaksinë që e bllokon transmetimin e virusit. Nëse jo, atëherë mënyra e vetme për të fituar imunitetin e tufës në popullatë, është vaksinimi i të gjithëve”- thotë Shweta Bansal, biologe matematikore në Universitetin Xhorxhtaun, Uashington.

“Aftësia e një vaksine për të bllokuar transmetimin e virusit nuk ka nevojë të jetë domosdoshmërisht 100 për qind për të bërë diferencën. Edhe 70 për qind efektivitet në këtë aspekt, do të ishte diçka e mahnitshme”- thotë Samuel Scarpino,  shkencëtar që merret me studimin e sëmundjeve infektive në Universitetin Verilindor në Boston. Por sërish mund të ketë ende një sasi të konsiderueshme të virusit që përhapet, gjë që do ta bënte shumë më të vështirë këputjen e zinxhirëve të transmetimit.

  1. Shpërndarja e vaksinave është e pabarabartë

Për momentin ka dallime të mëdha në efikasitetin e përdorimit të vaksinave ndërmjet vendeve, madje edhe brenda tyre. Izraeli e nisi vaksinimin e qytetarëve të tij më dhjetor

  1. Në fillim të fushatës, punonjësit e shëndetësisë vaksinonin çdo ditë më shumë se 1 për qind të popullsisë, thotë Dvir Aran, shkencëtar i të dhënave bio-mjekësore në Institutin e Teknologjisë së Izraelit në Haifa.

Deri në mesin e marsit, ishte vaksinuar plotësisht rreth 50 për qind e popullsisë me tëdyja dozat e kërkuara. “Tani problemi është se të rinjtë nuk duan të vaksinohen”- thotë Aran. Ndaj autoritetet lokale po i joshin ata me gjëra të tilla si pica dhe birra falas. Ndërkohë, fqinjët e Izraelit Libani, Siria, Jordania dhe Egjipti, nuk kanë vaksinuar ende as 1 për qind të popullsisë së tyre.

Edhe në SHBA, qasja tek vaksinat ka qenë e pabarabartë. Disa shtete si Georgia dhe Utah, kanë vaksinuar plotësisht më pak se 10 për qind të popullsisë së tyre, ndërsa Alaska dhe New Mexico kanë vaksinuar plotësisht më shumë se 16 për qind. “Asnjë komunitet nuk është një ishull, dhe peizazhi i imunitetit që rrethon një komunitet ka vërtet rëndësi”-thotë Shweta Bansal.

  1. Variantet e reja e ndryshojnë ekuacionin e imunitetit të tufës

“Ne jemi në një garë me variantet e reja”- thotë Sara Del Valle, epidemiolog matematikor në Laboratorin Kombëtar Los Alamos në New Mexico. “Sa më shumë kohë duhet për të penguar transmetimin e virusit, aq më shumë kohë duhet që të shfaqen dhe përhapen këto variante”- thotë ajo.

Ajo që po ndodh në Brazil ofron një shembull paralajmërues. Rajoni i Manausit u godit rëndë nga Covid vitin e shkuar dhe imunologia Ester Sabino e Universitetit të Sao Paulos, dhe kolegët e saj llogaritën se më shumë se 60 për qind e popullsisë ishte infektuar deri në qershor 2020.

Sipas disa vlerësimeve, ky nivel duhet të ishte i mjaftueshëm për ta çuar popullsinë në pragun e imunitetit të tufës. Por në janar të këtij viti, Manaus përjetoi një valë të re rastesh të shumta. Kjo gjë ndodhi pas shfaqjes së një varianti të ri të njohur si P.1, gjë që sugjeron se infeksionet e mëparshme nuk i dhanë popullatës mbrojtje të madhe ndaj virusit.

  1. Imuniteti mund të mos zgjasë përgjithmonë

Llogaritë që bëhen për imunitetin e tufës, marrin parasysh 2 burime të imunitetit individual:vaksinat dhe infeksionin natyror. Njerëzit e infektuar me SARS-CoV-2 duket se zhvillojnë imunitet ndaj virusit, por se sa zgjatë është ende e paqartë, thotë Bansal. Duke pasur parasysh atë që dihet mbi koronavirusët e tjerë dhe të dhënat paraprake për SARS-CoV-2, duket se imuniteti i lidhur me infeksionin zbehet me kalimin e kohës.

Nëse imuniteti i fituar nga vetë infeksion zgjat vetëm disa muaj, kjo siguron një afat të ngushtë për shpërndarjen e vaksinave. Për të dyja arsyet e lartpërmendura, Covid-19 mund

të bëhet si gripi.

  1. Vaksinat mund ta ndryshojnë sjelljen e njerëzve

Me normën aktuale të vaksinimit, Izraeli po e arrin pragun teorik të imunitetit të tufës, thotë Aran. Por sipas tij problemi është se ndërsa po vaksinohen më shumë njerëz, ata do të rrisin bashkëveprimet e tyre, dhe kjo gjë e ndryshon ekuacionin e imunitetit të tufës, që mbështetet pjesërisht mbi faktin se sa njerëz janë të ekspozuar ndaj virusit.

“Vaksina nuk janë si një anti-plumb që nuk përshkohet nga plumbat. Imagjinoni që një vaksinë ofron mbrojtje në shkallën 90 për qind. Nëse para vaksinimit keni takuar maksimumi 1 person, dhe tani takoni 10 persona në ditë, ju jeni përsëri të rrezikuar të merrni virusin”-thotë ai.

Ekspertët thonë se i gjithë thelbi është të ndërpritet rruga e transmetimit,dhe kufizimi i kontaktit social dhe vazhdimi i sjelljeve mbrojtëse si maskimi mund të ndihmojnë në zvogëlimin e përhapjes së varianteve të reja ndërsa vijon zhvillimi i vaksinës. Por do të jetë e vështirë të pengohen njerëzit që t’i rikthehen sjelljeve para pandemisë. /Përktheu: Alket Goce-abcnews.al

Mos rri jashtë: bashkohu me ABC News. Ne jemi kudo!