Përvjetori i zgjerimit të BE/ Anëtarësimi i 10 vendeve në 2004, hapi erën e re të bllokut

schedule16:04 - 1 Maj, 2024

schedule 16:04 - 1 Maj, 2024

Ky 1 maji shënoi 20 vjetorin e asaj që njihet si “Big Bang-u” i Bashkimit Europian pasi unioni u zgjerua me 10 vende anëtare të reja në 1 maj të vitit 2004.

Estonia, Lituania, Letonia, Hungaria, Polonia, Çekia, Sllovakia, Sllovenia, Malta dhe Qiproja iu bashkuan 15 vendeve që ishin anëtare të këtij Unioni në vitin 2004 duke shënuar kështu edhe zgjerimin më të madh të bllokut Europian që prej krijimi të tij. Bashkimi Europian po shënon këtë përvjetor të rëndësishëm me disa ngjarje dhe evenimente ndërsa Brukseli zyrtar vijon të përsërisë premtimet për zgjerimin e Unionit, duke përfshirë edhe anëtarësimin e vendeve të Ballkanit Perëndimor. Në deklaratën e tij për këtë përvjetor të rëndësishëm, Përfaqësuesi I Lartë I BE për Politik të jashtme Josep Borrell theksoi se puna për ribashkimin e Kontinentit nuk ka përfunduar dhe se Ballkani Perëndimor ka një mundësi historike që lidh fuqishëm të ardhmen  e këtij rajoni me Bashkimin Europian.

“Puna jonë për  ribashkimin e kontinentit nuk është kompletuar. E dinim para vitit 2022 dhe e dimë edhe më mirë sot, për shkak të agresionit rus ndaj Ukrainës. Viteve të fundit, miliona evropianë kanë treguar vullnetin dhe shpresën për t’iu bashkuar BE-së. Ballkani Perëndimor, Turqia, Ukraina, Moldavia e Gjeorgjia kanë dritare historike të mundësisë që të lidhin fuqishëm të ardhmen e tyre me Bashkimin Evropian. Zgjerimi i BE-së është politikë transformuese që rrit sigurinë, drejtësinë dhe demokracinë, duke i rritur standardet e jetesës së evropianëve.”, thotë Borrell.

Borrell shkroi në deklaratën e tij se Vendet kandidate dhe Bashkimin Europian kanë mundësinë për të nderuar një Union më të madh dhe më të forte. Megjithatë pas 1 majit të vitit 2004 kur 10 shtete u anëtarësuan në BE në që njihet si procesi i zgjerimit të madh, janë vetëm edhe tri shtete të tjera që i janë bashkuar këtij Unioni. Bullgaria dhe Rumania u anëtarësuan në Bashkimin Europian në 1 janar të Vitit 2007 dhe pas tyre në vitin 2013 u anëtarësua Kroacia. 11 vite pas anëtarësimit të Kroacisë, nuk ka pasur asnjë anëtarësim të ri në Unionin 27 anëtarësh. Aktualisht janë 10 Shtete që synojnë anëtarësimin në Bashkimin Europian ku përveç 6 vendeve të Ballkanit Perëndimor në listë janë edhe Ukraina, Moldavia, Gjeorgjia dhe Turqia e cila vazhdon të ketë formalisht statusin e vendit kandidat, por negociatat e saj për anëtarësim në BE janë ngrirë prej disa vitesh. /abcnews.al

Mos rri jashtë: bashkohu me ABC News. Ne jemi kudo!