Përvjetori i vdekjes së aktorit të paharrueshëm Kadri Roshi

schedule08:35 - 6 Shkurt, 2023

schedule 08:35 - 6 Shkurt, 2023

Më 6 shkurt të vitit 2007, ndërroi jetë figura e mirënjohur e kinematografisë dhe e skenës shqiptare, Kadri Roshi. Roshi lindi më 4 janar të vitit 1924 në Ballsh të Mallakastrës në një familje me prejardhje nga Libohova. Aktori përjetoi një vogëli të trazuar, pasi humbi të ëmën teksa numëronte veçse 2 vjeç dhe mbeti jetim dhjetë vjet më vonë, kur vdiq edhe i ati.

Karriera e tij si aktor nisi në moshën 21-vjeçare në skenën e të ashtuquajturit Teatër Popullor. Në vitin 1951 finalizoi rrugëtimin e tij kushtuar edukimit universitar, të përshkuar në Pragë. Me t’u kthyer në vendin e tij të origjinës, Roshi rimori ekzekutimin e roleve të para në logun e jetës artistike të vendit, Teatrin Kombëtar.

Përllogaritet se aktori ka luajtur rreth 180 role në skenë dhe në kinematografi, duke lënë në kujtesën e teleshikuesve dhe të spektatorëve një portret të pashlyeshëm. Në celuloid është përjetësuar në sajë të një shumësie rolesh, që variojnë nga skllavi Ezop tek kujdestari i “Lulëkuqe mbi mure”, si edhe nga mbrojtësi i thekshëm i gjuhës shqipe në Rilindje deri tek plaku Mere.

Disa prodhime të tjera filmike ku Roshi ka mishëruar role protagoniste janë: Vdekja e burrit (1991), Apasionata (1983), Partizani i vogël Velo (1980), Ballë për ballë (1979), Gjeneral gramafoni (1978), Njeriu me top (1977), Fije që priten (1976), Përballimi (1976), Malet me blerim mbuluar (1971), I teti në bronz (1970).

Për kontributin e dhënë në artin e fjalës dhe të interpretimit, Roshi u nderua me Çmimin e Karrierës në Festivalin e Filmit Artistik të vitit 1995, me Çmimin e Madh të Nderit në vitin 1997 dhe iu akordua vlerësimi “Nderi i Kombit” në vitin 1999.

Mos rri jashtë: bashkohu me ABC News. Ne jemi kudo!