Përvjetori i sulmit në Banjskë/ Analisti: Kosova të largohet nga qëndrimet populiste, për veriun duhet koordinim me SHBA

schedule17:38 - 24 Shtator, 2024

schedule 17:38 - 24 Shtator, 2024

PRISHTINË– Në fshatin Banjskë të Komunës së Zveçanit, një grup i armatosur serbësh sulmoi policinë e Kosovës më 24 shtator 2023, ku mbeti i vrarë polici Afrim Bunjaku. Këtë të martë u shënua 1-vjetori i atij sulmi, të cilin e dënuan njëzëri edhe aleatët strategjikë të Kosovës, ndërsa apeluan që përgjegjësit e sulmit të dalin para drejtësisë.

Analisti Artan Behrami, i ftuar në “Ballkan Update” me gazetaren Linda Karadaku, në ABC News, tha se qeveria e Kosovës duhet të veprojë në veri në koordinim të ngushtë me aleatët, përfshirë SHBA dhe Bashkimin Evropian.

Ai shtoi se detyra kryesore e Kosovës është që të integrojë serbët lokalë duke i bindur se busulla orientues nga e cila duhet të shohin dhe të presim ndihmë, është Prishtina dhe jo Beogradi.

“Tani është detyra e Kosovës ta bëjnë detyrën e tyre. Unë mendoj se janë bërë disa punë të mira, por qeveria e Kosovës ka patur shumë më shumë hapësirë për të shtrirë sovranitetin. Shtrirja e sovranitetit nuk nënkupton vetëm shtim të policisë, por kërkon përfshirje të serbëve lokalë. Serbët lokalë janë të kërcënuar çdo ditë nga njësitet paralele. Duhet më shumë investime. Ne na duhet më shumë proaktiviteti politik i qeverisë. Rruga që duhet ndjekur është koordinimi me SHBA. Ne duhet të heqim dorë nga populizmat dhe nga selfiet nëpër Ujman dhe te Ura e Ibrit dhe të kemi më shumë prani të ministrive në veri. Të kemi intenca për serbët që jetojnë aty, për t’u thënë se Prishtina është adresa tek e cila duhet të drejtohen dhe më këtë e përmbushim amanetin e Afrim Bunjakut”, tha ai.

I pyetur se si mund të arrihet një zgjidhje në veriun e Kosovës, analisti tha se Kosova duhet t’u përmbahet besnikërisht instrumenteve demokratike perëndimore.

Ai këmbëngul që një sukses i tillë mund të arrihet vetëm atëherë kur Kosova të veprojë në koordinim të plotë, sidomos me Shtetet e Bashkuara të Amerikës.

“ Në fakt liria jonë, çlirimi dhe pavarësia e Kosovës ka qenë një model evropian. Ne nuk duhet të heqim dorë nga ato praktika, që deri më sot kanë dhënë rezultate. Bashkë me BE dhe SHBA duhet të kemi bashkëpunim. Serbia ka dëshiruar “status quo” në Kosovë.  Serbia përveç se na ka vrarë, na ka marrë edhe kohën. Ne duhet të insistojmë në këto praktika evropiane, meqë ndërhyrjet ushtarake i përkasin të kaluarës. Pa koordinim me SHBA, diçka e tillë është e pamundur. Ne pa Amerikën e kemi të vështirë ta shtrijmë sovranitetin edhe në Prizren, jo më në veri të Kosovës.”, tha ai./n.m.abcnews.al

Mos rri jashtë: bashkohu me ABC News. Ne jemi kudo!