Sot, 21 dhjetor, është dita e ceremonisë për përurimin e punimeve për Teatrin e ri Kombëtar në Tiranë.
Në ceremoninë e përurimit të pranishëm ishin, kryeministri Edi Rama, kryebashkiaku, Erion Veliaj, arkitekti danez Bjarke Inglez si edhe aktorë të ndryshëm.
Gjatë fjalës së tij në përurimin e punimeve, Rama tha se Teatri i ri do të jetë një tjetër guri çmuar në gjerdanin e veprave që kanë nxjerrë Tiranën nga korniza e vjetër që mbante ndër vite.
“Teatri i ri do të jetë një godinë e denjë për të mbajtur emrin e Teatrit Kombëtar”, tha Rama, ndërsa nuk kurseu komentet për kundërshtimin e opozitës dhe të aktorëve për ndërtimin e tij.
Rama tha se kundërshtimi i opozitës është pjesë e strategjisë së saj, pasi sipas tij, opozita ka kundërshtuar gjithmonë projektet e reja në Shqipëri. Për sa i përket kundërshtimit të projektit nga artistët, Rama tha se komuniteti i aktorëve ndoshta ka qenë pajtuar me realitetin për pamundësinë për të ndryshuar kushtet e vështira të infrastrukturës së teatrit të vjetër dhe se për shkak të kohëve dhe premtimeve të pa mbajtura u pajtuan me një realitet që i përkonte asaj kohe.
“U krijua në instinkt vetëmbrojtjeje, se kjo mund të ishte alibi për të bërë zhvillim dhe do të mbetej nën barkun e një kulle”, tha Rama.
Ndërsa falenderoi arkitektin danez, duke thënë se është një nga më të mirët dhe të shtrenjtët.
Mes batutash Rama tha: “Kemi bërë Pazar të mirë me arkitektin”.
“E kam menduar shumë herë, se pse komuniteti i teatrit, duke i lënë mënjanë ata që teatrin, stadiumin apo sheshin Skënderbe i kanë parë si platforma për të kërcyer shpatat politike. Por pse komuniteti? Pavarësisht bindjeve pulitke, kishin një mosbesim thuajse konsensual lidhur me këtë proces dhe lidhur me dëshirën dhe vullnetin për të ndërtuar më në fund një teatër të denjë. Mbase nuk arrij dot t’i jap përgjigje kësaj pyetjeje por besoj se një ndër arsyet është se për shumë kohë komuniteti i teatrit kombëtar u pajtua me inercinë e të punuarit në kushtet shumë të vështira. E dekada, e dekada të tëra kaluan me zotime e premtime, por askush nuk u bë mbarë për të ndërtuar teatrin. Pastaj edhe paragjykimet në këtë kohë që ne jetojmë. Ku kemi parë shumë skena, shqyerje të pronave, e pasurive pulitke, e vetvetiu u krijua një vetëmbrojtje. Më vjen mirë që të gjitha këto më në fund u fashitën. Ja kisha shpallur luftën asaj godinë që në 98 kur isha ministër kulture. Kur mendon që nga 98 nderi sot, mund të ishin hedhur hapat e nevojshëm, realisht ka kaluar shumë kohë. Ky projekt shkon përtej një teatri kombëtar. Është një tjetër gur i çmuar në një gjerdan veprash që e kanë nxjerrë Tiranës jashtë vetes”, tha Rama.
/abcnews.al/