Përurimi i Piramidës së Tiranës, Veliaj: Nga sot do i shërbejë gjeneratës së re dhe punëve të së ardhmes

schedule20:09 - 16 Tetor, 2023

schedule 20:09 - 16 Tetor, 2023

Piramida e Tiranës ka çelur zyrtarisht dyert mbrëmjen e sotme, përmes një ceremonie të posaçme, edhe me pjesëmarrjen e liderëve të Ballkanit si dhe udhëheqësve të Bashkimit Europian, në përmbyllje të Samitit të parë të Procesit të Berlinit që u zhvillua jashtë një vendi të BE, në Tiranë. Piramida, e cila ishte edhe vendi mikpritës i këtij Samiti gjatë ditës së sotme, do të shërbejë si qendra më e madhe teknologjike e Ballkanit, ku po ashtu, po gjatë ditës së sotme, u inaugurua edhe selia e Kolegjit te Europës.

Kryetari i Bashkisë së Tiranës, Erion Veliaj, i cili inauguroi përpara liderëve të Bashkimit Europian ambientet e reja, u shpreh se sot Piramida nis një jetë të re,  pasi do i shërbejë gjeneratës së re dhe punëve të së ardhmes.

“Për ata që ende nuk e njohin historinë, Piramida nisi si një mauzoleum për Enver Hoxhën. Ai vdiq në 1985-ën, kohë kur ne nuk kishim shumë elektricitet e frigoriferë, kështu që nuk ishte kaq e volitshme që të kishim një mumje në Piramidën e Tiranës, ndaj e ndryshuan idenë, nga mauzoleum në një muze. Unë dëgjova sot Edin, i cili shpjegoi pak konceptin e Piramidës, që ka qenë selia e NATO-s gjatë një konflikti me ish-Jugosllavinë. Ajo që shumë njerëz nuk e dinë është se Edi dhe unë po bënim një debat kur BE bëri një kërkesë për të vendosur zyrat këtu. Duke qenë se u deshën gjashtë vjet që të merrej vendimi, kryeministri vendosi që t’ua japë fëmijëve. Pas shumë jetëve të jetuara, sot Piramida nis me një jetë të re, do të jetë qendra më e madhe për mësimin e trajnimin digjital për punët e të ardhmes. Ky qytet 8 vite më parë ishte 25% prodhim tekstilesh dhe këpucësh. Ndërkohë që, tashmë është 25% TIK dhe 25% turizëm. Kjo tregon që gjërat mund të ndryshojnë,” u shpreh Veliaj.

Kryebashkiaku tha gjithashtu se pjesë e Piramidës do të jetë edhe Kolegji i Evropës, ku studentë nga e gjithë Evropa dhe rajoni, përveç Bruges dhe Natolin, tashmë mund të studiojnë në Tiranë, përkrah studentëve shqiptarë në një nga institucionet akademike më prestigjioze për zhvillimin dhe zhvillimin promovimin e Projektit Europian./abcnews.al

Mos rri jashtë: bashkohu me ABC News. Ne jemi kudo!