Emisioni Ballkan
Dardania, Kosova e sotme, shquhej në lashtësi për prodhimin e verës më të mirë në Ballkan, ndërkohë që tani, në Rahovec gjenden disa prej kantinave më të mëdha të verës në rajon. Për shumë vite në Kosovë, industria e verës kishte një kapacitet prodhimi prej 50 milionë litrash në vit. Por një pjesë e mirë e vreshtave dhe infrastrukturës u dogjën gjatë luftës nga forcat serbe. Por situata tashmë ka ndryshuar dhe ndoshta një nga gjërat më ekzotike që një shqiptar do të mund të gjejë në Serbi, pavarësisht nga armiqësia shekullore, do të jetë pikërisht vera e Kosovës. Verërat e prodhuara në Kosovë do të bëhen për herë të parë pjesë e tregut të Serbisë, si pjesë e marrëveshjes për normalizim ekonomik midis dy vendeve arritur në Uashington, në Shtëpinë e Bardhë më 4 shtator të vitit të kaluar. Veraria, ”Agro Kosova Holding”, nis zyrtarisht eksportin e verërave në Serbi, ndërkohë që pronari I saj Aziz Tafaj , ka qartësuar se ata eksportojnë verë prej kohësh në shtete të ndryshme, ndërkohë që tashmë kanë filluar të eksportojnë edhe në Serbi. Ndërmarrja e tij ka 430 hektarë vreshta dhe prodhon rreth 1 milion litra vere. Tregu serb është me interes dhe në shtator të vitit të kaluar është nënshkruar kontrata për 1 milion litra verë Kosove në Serbi. Tafaj ka thënë se kjo është lehtësuar me relaksimin e marrëdhënieve si rezultat I marrëveshjes së Uashingtonit.
Viti që kaloi ishte shumë i vështirë për ekonominë e Kosovës dhe sigurisht edhe për vreshtarinë. Por qeveria I ka mbështetur përmes një nisme të ndërmarrë për subvencionimin e vreshtave. Agim Shahini, kryetar i Aleancës Kosovare të Bizneseve, ka nënvizuar se eksporti i verërave në Serbi është rezultat i marrëveshjes në Shtëpinë e Bardhë për normalizim të raporteve ekonomike dhe po bëhet realitet. Shahini ka kërkuar që të mbështeten prodhuesit dhe bizneset sepse u është kufizuar e drejta për të punuar lirshëm. Kryeministri Avdullah Hoti ka theksuar mbështetjen për bizneset dhe prodhimin vendas. Qeveria ka shpërndarë 270 milion euro duke dyfishuar subvencionimet në vreshta. Për këtë vit është paraparë një buxhet prej 182 milion eurosh. Kryeministri Hoti ka konfirmuar se mbi 80 përqind e prodhimit vendas eksportohet jashtë vendit me logon “Made in Kosova”, dhe kjo është e rëndësishme.
“Kemi dyfishuar subvencionimin për hektar të vreshtave nga 1 mijë në 2 mijë euro. Duke dyfishuar subvencionimin për litër të verës, nga 4 cent, në 8 cent. Gjendja është e rëndë, por do të ju qëndrojmë afër bizneseve për ta kaluar këtë situatë” tha Hoti. Në total subvencionet shkojnë në mbi 400 milion euro, e konsideruar si një përkrahje për zhvillimin ekonomik”. Kultivimi i rrushit në Kosovë është përqendruar kryesisht në rajonin e Dukagjinit, prandaj konsiderohet të jetë rajoni kryesor i vreshtave në vend. Dukagjini ka dy nënrajone: zonat e vreshtave të Pejës, Istogut dhe Klinës në nënrajonin verior, ndërsa Gjakova, Rahoveci, Prizreni, Suhareka dhe Malisheva në nënrajonin jugor. Klima e përshtatshme dhe pozicioni i favorshëm gjeografik mundësojnë kultivimin e rrushit, i cili ka një traditë një mijë vjeçare në Kosovë. Për një kohë të gjatë, vera prodhohej vetëm për tregun e brendshëm, por në vitet ’70 gjatë sistemit socialist, industria e verës në Kosovë pësoi një rritje të konsiderueshme. Pjesa më e madhe e prodhimit të verës ishte e orientuar drejt tregut gjerman. Zona e vreshtave në Rahovec kishte një kapacitet prej afërsisht 50 milion litra dhe pothuajse e gjitha eksportohej. Në Gjermani, vera eksportohej në sasi të mëdha për më pak se 1 markë gjermane për litër dhe në vitin 1989, arriti sasinë më të madhe të eksportuar prej afërsisht 40 milion litrash.
Para luftës, vreshtat mbulonin rreth 10,000 hektarë tokë me kryesisht varietetet e verës së kuqe Cabernet Franc, Gamay dhe Pinot Noir, Riesling dhe Amelfelder.Pas shpërbërjes së Jugosllavisë, politika diskriminuese serbe dëmtoi industrinë e verës në Kosovë duke zhvendosur punëtorët nga vendet e tyre të punës në ndërmarrjet publike të verës. Si rezultat i kësaj zhvendosjeje dhe ndërprerjes së tregtisë gjatë luftës në Bosnjë, gjatë viteve 90-të, industria e verës në Kosovë ngeci në një kohë kur industritë e verës u sofistikuan dukshëm. Fundi i luftës, periudha para shpalljes së pavarësisë, dhe një proces i ngadaltë i privatizimit të ndërmarrjeve publike kontribuoi në rënien e industrisë së verës dhe shumë hektarë tokë vreshtash u lanë djerrë . Vetëm disa pjesë të vreshtave për rrush tryeze u kultivuan pak. Efekti ishte i madh, veçanërisht në rajonin e Rahovecit, ku referuar të dhënave lokale, 40% e njerëzve që jetojnë në rajon ishin të angazhuar në kultivimin e rrushit dhe industrinë e verës. Privatizimi i disa ndërmarrjeve në vitin 2006 dha shpresë dhe shtytje për ringjalljen e kësaj industrie.
Republika e Kosovës aktualisht ka 3,320 hektarë vreshta sipas regjistrit të vreshtave. Aktualisht në Kosovë hardhia e rrushit kultivohet në 18 komuna. Struktura e vreshtave të Kosovës përbëhet nga varietete të kuqe, varietete të bardha dhe rrush tryeze. Varietetet e rrushit të kuq përfaqësojnë 49% të prodhimit,varietetet e rrushit të bardhë 26% dhe rrushi i tryezës 25%. Varietetet e rrushit që përdoret për prodhimin e verës dominojnë me 75 përqind. Aktualisht, në Kosovë operojnë 27 kompani të licencuara nga Ministria e Bujqësisë, që merren me përpunimin e rrushit. Kosova, nga viti 2013 deri në vitin 2018 ka eksportuar verë në 31 shtete. Vendet në të cilat Kosova ka eksportuar më shumë verë janë Kroacia, Serbia, Shqipëria, Sllovenia, Zvicra dhe Republika Çeke.
Ligji për Verërat është miratuar në Kosovë në vitin 2005 ndërsa në vitin 2011 është ndryshuar dhe plotësuar. Kuadri aktual ligjor për verërat është pjesërisht i harmonizuar me legjislacionin e vendeve të Bashkimit Evropian. Kosova ka disa objektiva në këtë industri, si rritja e përfitimit në prodhimin e rrushit dhe verës; diversifikimi i produkteve të rrushit dhe verës; vendosja e sistemeve të reja të kultivimit dhe zbatimi i praktikave të mira në vreshtari dhe verë dhe mbrojtja e mjedisit. Po kështu, hapat e mëtejshëm në lidhje me zhvillimin e kësaj industrie kanë të bëjnë me miratimin e Strategjisë për Zhvillimin e Vreshtarisë dhe Prodhimit të Verës deri në vitin 2025 dhe harmonizimin e masave mbështetëse me objektivat e strategjisë. Me shumë rëndësi është krijimi i një profili të verës kosovare në tregjet rajonale dhe evropiane./ Abcnews.al