Emisioni Ballkan
Filmi “Quo vadis Aida”, në të cilin luan edhe aktori me origjinë nga Prishtina Alban Ukaj është i vetmi nominim nga Ballkani për çmimet “Oscar”. Historia e dhimbshme e Srebrenicës ku forcat serbe vranë mijëra burra dhe djem boshnjakë, është tema e filmit. Srebrenicë, korrik 1995. Aida është një përkthyese e Kombeve të Bashkuara në Srebrenicë. Kur ushtria serbe merr nën kontroll qytetin, familja e saj është midis mijëra njerëzve që kërkojnë strehim në kampin e paqeruajtësve të OKB-së. Duke qenë pjesë e negociatave, Aida ka qasje në informacionet thelbësore. Dilema e madhe është çfarë shihet në horizont për familjen dhe njerëzit e saj, shpëtimi apo vdekja? Çfarë duhet të bëjë ajo? Ky është edhe titulli i filmit, Quo Vadis Aida?
Filmi i cili doli në shkurt të këtij viti, është i regjisores boshnjake Jasmila Zhbaniç, me skenar të shkruar nga ajo vetë, dhe ka është nominuar për çmimin e Akademisë për Filmin më të Mirë Ndërkombëtar. Filmi është një bashkëprodhim i dymbëdhjetë kompanive filmike nga Bosnja dhe Hercegovina, Austria, Gjermania, Franca, Holanda, Norvegjia, Polonia, Rumania dhe Turqia. Ajo u shfaq në seksionin kryesor të konkursit të Festivalit të 77-të Ndërkombëtar të Filmit në Venecia.
Filmi ka fituar çmimin e audiencës në edicionin e 50-të të Festivalit Ndërkombëtar të Filmit në Roterdam dhe Çmimin e Filmit më të Mirë Ndërkombëtar në Festivalin e Filmit të Gothenburgut në vitin 2021. Për më tepër, në Mars 2021, filmi u nominua për Filmin më të Mirë jo në Gjuhën Angleze dhe Zhbaniç u nominua për regjisoren më të mirë të filmit nga Akademia Britanike. Filmi pati premierën e tij botërore në Festivalin e 77-të Ndërkombëtar të Filmit në Venecia, më 3 shtator 2020. Ai u shfaq gjithashtu në Festivalin Ndërkombëtar të Filmit në Toronto më 13 shtator 2020. Në shkurt 2021, Super LTD fitoi të drejtat e shfaqjes së filmit në SHBA. Filmi u shfaq në Shtetet e Bashkuara përmes kinemasë virtuale në 5 Mars 2021.
Në Rotten Tomatoes, filmi ka një vlerësim 100% të bazuar në 34 komente, ndërsa në Metacritic, filmi ka vlerësime “pozitive” bazuar në trembëdhjetë kritikë.
Ryan Gilbey i Neë Statesman përmblodhi kritikën e tij duke deklaruar se “Zhbaniç e ka formësuar faktin në një pamje elokuente dhe të ndërgjegjshme që mbahet po aq pezull sa çdo thriller, duke përdorur performancën e Gjuriçiç si shtysën lëvizëse “. Ndërsa Peter Bradshaw shkruajti në The Guardian se, “pas 25 vjetësh, ka ardhur koha të shikojmë përsëri tmerrin e Srebrenicës dhe Zhbaniç e ka bërë këtë me dhembshuri dhe sinqeritet të qartë ”.
Alban Ukaj, i vetmi actor shqiptar që luan në këtë film, ka lindur në Prishtinë. Ai ndoqi Akademinë e Arteve Skenike në Sarajevë. Shquhet për rolin e tij në filmin Lorna’s Silence dhe rolin e tij kryesor në filmin grek J.A.C.E. Ai është i njohur gjithashtu për shfaqjet e tij si aktor skenik në Shqipëri, Bosnjë dhe Hercegovinë dhe Serbi.
Gjenocidi i Srebrenicës, i cili është në qendër të filmit Quo Vadis Aida, është nga ngjarjet më të rënda të pas –luftës së dytë botërore. Më shumë se 8,000 burra dhe djem boshnjakë të moshës nga 12 deri 77 vjet u vranë nga Ushtria e Republikës Serbe nën udhëheqjen e gjeneralit Ratko Mlladiç, njësia paraushtarake “Shkorpioni” ( Akrepat), e cila ishte pjesë e Ministrisë së punëve të brendshme të Serbisë, dhe disa qindra vullnetarë grekë dhe rusë. Gjatë viteve të Luftës së Bosnjës Srebrenica ka qenë një qytet i shpallur nga Këshilli i Sigurimit i Kombeve të Bashkuara si një zonë e sigurt për mbrojtjen e boshnjakëve civilë nga UNPROFOR (Forca Mbrojtëse e Kombeve të Bashkuara-United Nations Protection Force).
Por megjithëkëtë më 11 korrik 1995 qyteti ra në duart e ushtrisë së serbëve të Bosnjës, e cila komandohej nga Ratko Mlladiç. Brenda pak ditëve nga kjo ngjarje u masakruan më shumë se 8.000 civilë, duke u kryer kështu një gjenocid që nuk ishte parë në kontinentin e Evropës që pas Luftës së Dytë Botërore. Kombet e Bashkuara, të cilat nuk morën masa të mjaftueshme për të mbrojtur zonën e sigurt, nuk ndërhynë për të parandaluar tragjedinë që ndodhi në Srebrenicë. Më 6 korrik 1995 serbët kaluan në mësymje të plotë kundër Srebrenicës. Në këtë sulm, rreth 30 ushtarë holandezë u morën peng nga serbët. Përkundër kësaj, komandanti i batalionit holandez nuk kërkoi mbështetje ajrore bazuar në rezolutën nr.836. Mbështetja ajrore u kërkua një ditë përpara se Srebrenica të binte në duart e forcave të armatosura të Ratko Mlladiçit.
Më pas, u bënë dy sulme ajrore simbolike kundër pozicioneve serbe. Serbët e Bosnjës dërguan një ultimatum dhe kërkuan ndërprerjen e menjëhershme të sulmeve ajrore. Serbët, të cilët thanë se do ti vrisnin ushtarët holandezë që i mbanin peng, paralajmëruan se do të hapnin zjarr kundër ushtarëve të mbetur të UNPROFOR-it dhe refugjatëve në Srebrenicë. Pas këtij ultimatumi të serbëve Përfaqësuesi Special i Sekretarit të Përgjithshëm të Kombeve të Bashkuara në Bosnjë kërkoi anulimin e sulmeve ajrore. Kështu, më 11 korrik 1995 serbët arritën të hyjnë në Srebrenicë dhe 11 korriku në kujtesë u skalit si simboli i një gjenocidi të tmerrshëm. Masakra e Srebrenicës është cilësuar si më e rënda në Evropë që prej përfundimit të Luftës së Dytë Botërore, ndërsa nga Gjykata Ndërkombëtare e Hagës është njohur si gjenocid.
Ish-udhëheqësi politik i serbëve të Bosnjës, Radovan Karaxhiq, është dënuar me burgim të përjetshëm nga Gjykata Ndërkombëtare në Hagë, për masakrën në Srebrenicë dhe mizoritë e tjera gjatë luftës në Bosnje. Edhe ish-komandanti i forcave serbe të Bosnjës, Ratko Mlladiq, është dënuar me burgim të përjetshëm për krime të luftës, përfshirë gjenocid. Filmi Quo Vadis Aida rikujton dhe risjell në vëmendje krime monstruoze dhe gjenocid të ushtruar ndaj mijëra civilëve me synim spastrimin etnik. Mesazhi I filmit është I qartë, e kaluara nuk mund dhe nuk duhet të harrohet!