Përtej politikës: Politika e futbollit

schedule20:50 - 7 Korrik, 2021

schedule 20:50 - 7 Korrik, 2021

Nga Linda Karadaku:

Futbolli edhe në “EURO 2020”, nuk i ka shpëtuar dot politikës. Në fund të fundit, në Ballkan, gjithçka është politikë, edhe sporti. Këtë herë, beteja bëhej për një pjesës emri, për të cilën u deshën dekada që të arrihej një marrëveshje, ajo e Prespës, midis Greqisë dhe Maqedonisë së Veriut.   Kampionati evropian w futbollit “EURO 2020 “do të fillonte pikërisht me një përplasje të tillë politike. Vetëm pak orë pas fillimit të tij, Ministri grek i Sporteve, Lefteris Avgenakis, do ti dërgonte një letër Presidentit të UEFA, Aleksander Ceferin-it, në të cilin ankohej për emrin që po përdorte Maqedonia e Veriut në këtë ngjarje të madhe sportive. Avgenakis po shprehte qëndrimin e Athinës zyrtare ndaj termit “FFM” për Federatën e Futbollit të Maqedonisë, e qepur në fanellën e ekipit kombëtar maqedonas, duke kërkuar që Maqedonia e Veriut të përdorte shkurtime të emrit “NM” ose “RNM”, por jo “FFM”. Ai qartësonte gjithashtu se marrëveshja e Prespës e vitit 2018 midis Greqisë dhe Maqedonisë së Veriut përcaktonte qartë sesi duhet të shkruheshin shkurtesat për emrin Republika e Maqedonisë së Veriut. Ministri i Jashtëm grek, Nikos Dendias kishte theksuar të njëjtat kërkesa në një letër drejtuar homologut të tij në Maqedoninë e Veriut. Logoja e Federatës së Futbollit të Maqedonisë së Veriut,  (FFM) u shfaq në fanellat e saj gjatë ndeshjes së hapjes së fazës së grupeve kundër Austrisë. Dendias kërkoi që Maqedonia e Veriut të përdorte një akronim tjetër që i përgjigjet emrit të saj zyrtar si “NM” (Maqedonia e Veriut) ose “RNM” (Republika e Maqedonisë së Veriut). Ministri gjithashtu kërkoi nga homologu i tij, Bujar Osmani që Maqedonia e Veriut të ndryshonte zyrtarisht emrin e federatës së futbollit. Ministri I jashtëm Bujar Osmani u përgjigj se megjithatë, inicialet e MKD-së nuk ishin në kundërshtim me marrëveshjen e Prespës.

“Federata e Futbollit e Maqedonisë është një organizatë e pavarur dhe jofitimprurëse që është regjistruar në regjistrin qendror si shoqatë dhe si e tillë nuk merr para shtetërore. Marrëveshja e Prespës përfshin institucionet që marrin paratë e shtetit. Dhe për sa kohë që FFM nuk merr para shtetërore, ajo nuk ka asnjë detyrim të rregullojë emrin sipas Marrëveshjes së Prespës”.

Por kryeministri maqedonas Zoran Zaev kishte një qëndrim shumë më të butë. Ai I tha mediave greke se do ta zgjidhin çështjen bazuar në Marrëveshjen e Prespës, rregullat dhe traditën e Federatës së futbollit evropian UEFA.

“E gjithë Evropa e di që ekipi ynë kombëtar i futbollit përfaqëson Maqedoninë e Veriut në kampionat. Edhe nëse Federata nuk është një entitet publik, ekipi kombëtar është. Siç është në të gjitha vendet në botë. Është një ekip kombëtar i Maqedonisë së Veriut, e parëndësishme për inicialet e Federatës së fanellave. Ne tashmë kemi ngritur aspektin specifik me Federatë, dhe në periudhën e ardhshme do ta zgjidhim çështjen bazuar në Marrëveshjen e Prespës dhe rregullat dhe traditën e UEFA-së”.

Ndërkohë UEFA konfirmoi se ishte informuar për kërkesat e Greqisë, por I kishte refuzuar, duke deklaruar se ata përdorin emrin Federata e Futbollit e Republikës së Maqedonisë së Veriut në të gjitha komunikimet zyrtare dhe se kanë adaptuar terminologjinë përkatëse, përfshirë statutin e UEFA-së.

Por telashet nuk do të mbaronin me kaq. Një postim në rrjetet sociale i kryeministrit maqedonas Zoran Zaev në mbështetje të ekipit kombëtarët të futbollit zemëroi përsëri Athinën, sepse Zaev nuk përdorte termin Maqedoni e Veriut, por vetëm Maqedoni.

“Jam në stadiumin e Amsterdamit dhe i jap mbështetjen time të fortë ekipit kombëtar maqedonas të futbollit”.

Grekët e vëmendshëm theksuan se në postim mungonte fjala e “Veriut “, pra Maqedoni e Veriut.

“Kërkojmë zbatimin e plotë të Marrëveshjes dhe frymës së saj. Ι bëjmë thirrje z. Zaev të mos behet pjese e retorikes përçarëse për një çështje jashtëzakonisht të ndjeshme, siç është ajo e futbollit dhe pjesëmarrja e ekipit përfaqësues të Maqedonisë se Veriut në EURO 2020” thotë Aristotelia Peloni, zëdhënëse e qeverisë greke.

E përditshmja greke Kathimerini rikujtoi se qeveria greke që duhet të ratifikonte në korrik në parlament tre memorandume bashkëpunimi midis dy vendeve që dalin nga Marrëveshja e Prespës, duket se do ti shtyjë ato të paktën deri pas shtatorit, ndoshta edhe deri në vitin e ardhshëm. Tre memorandumet kanë të bëjnë me çështjen e mbrojtjes së hapësirës ajrore te Maqedonisë se Veriut nga Forcat e Armatosura Greke, paktin për përshpejtimin e pranimit të Maqedonisë së Veriut në BE dhe bashkëpunimin ekonomik midis dy vendeve.

“Ju kujtoj se një nga pikat kryesore të kritikës se Demokracisë së Re kur u diskutua për Marrëveshjen, kishte të bënte pikërisht me: Përdorimin e termit “maqedonas” për gjuhën dhe identitetin. Në çdo rast, gjithçka vlerësohet, dhe vlerësohet edhe koha gjatë së cilës protokollet e bashkëpunimit do të ratifikohen nga Parlamenti”.

Për pothuaj 30 vjet, futbolli në Maqedoninë e Veriut ishte nën hijen e hendbollit dhe basketbollit, ku ekipet e këtij vendi kualifikoheshin dhe fitonin. Vardari i Shkupit ka fituar Ligën e Kampionëve dy here, në 2017 dhe 2019. Por në futboll, “EURO 2020” ishte pika e kthesës për futbollin maqedonas apo maqedono-veriorët./abcnews.al/

Mos rri jashtë: bashkohu me ABC News. Ne jemi kudo!