Përtej politikës: Koret e paqes, nga Gjakova në Korçë

schedule20:45 - 30 Qershor, 2021

schedule 20:45 - 30 Qershor, 2021

Nga Linda Karadaku

Në Gjakovë është krijuar prej dekadash një nga koret më të njohura të burrave në Kosovë. Koret e burrave në Kosovë i këndojnë historisë, vuajtjes, fitoreve dhe humbjeve. Themeluesi i korit të burrave të Gjakovës është Rauf Dhomi. Kori këndoi në 28 nëntor 1990 në Kishën e Shën Ndout në Prishtinë dhe në 21 shkurt 1992 në Pejë himnin e flamurit, duke u dhënë shqiptarëve forcë për qëndresë në ato kohëra të errëta.

“Kemi marrë pjesë në Vatikan (në shënjterimin e Nënë Terezës, me korin e filarmonisë, ishte në fakt edhe orkestra, ka qenë një prej çasteve, kujtimeve më të mira për mua, si karrierë e këndimit koral sepse ishte shënjterimi I Gonxhe Bojaxhiut, Nënës Terezë, e njohur në tërë botën”  tha Kujtim Pula, korist prej 40 vjetësh.

Kori është pjesë shumë e rëndësishme e jetës së këtyre burrave. Burrat e veshur në të zeza dhe gratë me të kuqe, ky është “Slavulj”, kori më i vjetër që ka ekzistuar që prej 154 vjetësh në Kroaci. Muzikë kishtare, muzikë folklorike kroate dhe vepra të njohura të Kroacisë. Dirigjent është Josip degl’Ivellio dhe veprat janë të kompozitorëve Domenico Bartolucci, Nikolai Rimski Korsakov, Emil Cossetto e Miho Demoviç.

KORI KROAT

Kori i grave “Shën Zllata Meglenska” ekziston si pjesë e Kishës Ortodokse Maqedonase dhe është i pari i korëve të këtij lloji në Republikën e Maqedonisë së Veriut. Letka Dimovska Polizova është themeluese, drejtuese artistike dhe dirigjente e Korit. Kori përbëhet nga 22 zëra të grave që u përkasin muzikantëve të rinj të shkolluar, studentëve të Fakultetit të Artit Muzikor në Shkup. Si udhëheqëse e korit për fëmijë të Transmetimeve Maqedonase, pastaj korit “Zlatno Slavejce” (“Bilbili i Artë”), Kori i Përzier Rinor “Koco Racin”, Kori i Dhomës i katedrales Ortodokse “Shën Klima Ohërski” dhe shumë të tjerë, ajo u konsiderua dirigjentja më e suksesshme femër në këtë vend.

KORI MAQEDONAS

I themeluar me bekimin e Kishës Katolike, Kori Ekumenik i burrave në Serbi përbëhet nga anëtarë të besimeve dhe kombësive të ndryshme të krishtera. Ata pasurojnë traditat e tyre me njëra-tjetrën, duke ndërtuar së bashku identitetin e këtij ansambli me moton: “Uniteti në larmi”. Kori Ekumenik i burrave ka një repertor të pasur këngësh shpirtërore në latinisht, sllavisht, këngë kishtare, kroate, sllovene, serbe dhe në gjuhë të tjera.

KORI SERB

Kori Bizantin Grek është një kor i specializuar në këndimin e këngëve tradicionale bizantine. Kori u themelua në 1977 nga Lykourgos Angelopoulos  dhe është i vendosur në Athinë. Kori Bizantin Grek u themelua në 1977 nga Lykourgos Angelopoulos dhe kolegët e tij, me synimin për të prezantuar para publikut Muzikën tradicionale Bizantine siç është transmetuar deri në ditët e sotme në formë të kënduar dhe të shkruar. Kori ka marrë pjesë në më shumë se një mijë koncerte, në liturgji dhe ngjarje të tjera në Greqi dhe në tridhjetë vende të tjera në Evropë, Azi, Amerikë dhe Afrikë. Që nga viti 1993 janë publikuar nëntë albume të tij në Greqi dhe në Francë.

KORI GREK

Një kor në Sarajevë ia doli të tejkalojë ndarjen etnike pas luftës. Abati katolik françeskan, At Ivo Markoviç, kishte një ide – një kor shumë besimesh – për të bashkuar njerëzit përmes muzikës. Ky kor i të rinjve katolikë që këndojnë në një xhami paralajmëron punën e thellë dhe frymëzuese të korit Pontanima, të cilin Ivo e themeloi në Sarajevë menjëherë pas luftës. Ai përshkruan se si u kthye në një qytet me ndërtesa të bombarduara dhe njerëz që mbanin mbi supe vuajtjen e tmerrshme të luftës. Ndërsa përpiqeshin të mblidhnin një kor që mund të shtonte një atmosferë festive në shërbesat në kishën e Shën Antonit, Ivo dhe dirigjenti i ri Josip Kataviç morën një vendim kritik: duke mos pasur mjaftueshëm këngëtarë katolikë, ata do të ftonin të tjerët të bashkoheshin me korin, qofshin ata të krishterë ortodoksë, myslimanë, hebrenj, ateistë ose ndonjë gjë tjetër. Qëllimi themelor ishte krijimi i një simfonie të feve, për të bashkuar përmes këngës tre burimet e fesë monoteiste: Judaizmin, Krishterimin dhe Islamin. Kori filloi të këndojë muzikë klasike të krishterë perëndimore, pastaj përfshinë muzikën e Ortodoksisë lindore, më pas këngë hebraike dhe së fundi këngë myslimane. Grupi gjeti një emër të përshtatshëm, formuar nga fjalët latine pons (urë) dhe anima (shpirt): Pontanima.

KORI BOSHNJAK

Në 2016, në qytetin bregdetar turk të Mersin, një kor i LGBT interpretoi për mijëra njerëz. Ishte hera e parë që një koncert i tillë organizohej ndonjëherë në qytet. Jelliz Gyzel, një grua që aspironte të sillte ndryshime në vendin e saj, ishte anëtare themeluese e grupit. Por shpejt u përball me presionin nga qyteti i saj dhe u largua nga grupi. Artistja 42-vjeçare krijoi korin e parë dhe të vetëm të LGBT në Turqi, Jedi Renk Koro (“Kori i Shtatë Ngjyrave”). Më 25 nëntor 2020, kur Turqia shënoi ditën për eliminimin e dhunës ndaj grave, katër gra nga grupi i saj bënë një sesion poezie dhe shfaqje muzikore për të rritur ndërgjegjësimin. Gyzel ëndërron të krijojë një hapësirë ku askush të mos përjashtohet. “Përmes muzikës, unë dua të arrij tek njerëzit me të njëjtin mesazh të përhapjes së tolerancës”, tha ajo.

KORI TURK

Zërat e Mëdhenj të Bullgarisë është një kor folklorik i themeluar në 1971 nga dirigjenti i njohur Bullgar Zdravko Mihaylov. Ilia Mihaylov është drejtori dhe dirigjenti i tij artistik që nga viti 1999. Repertori muzikor i korit përfshin pjesë të folklorit autentik bullgar, krijuar nga kompozitorë të njohur të këtij vendi, si Philip Koutev, Krasimir Kyurkchiyski, Petar Lyondev. Kori i Zërave të Mëdhenj të Bullgarisë ka marrë pjesë në festivalet më prestigjioze të muzikës.

KORI BULLGAR

Në Shqipëri, kori i burrave Lira në Korçë është padyshim më I njohuri. Kori “Lira” është formuar rreth viteve 1917 – 1922 si vazhdimësi e formacioneve instrumentale – korale dhe e grupeve te asaj kohe “Djelmeria Korçare”, “Kori i ushtrisë”. Koncertin e pare e dha bashke me bandën “Vatra” ne palestrën e qytetit me 22 tetor 1922. Pas vitit 1928 drejtimin e këtij grupi e mori profesori i ri i muzikës i cili kishte mbaruar studimet e larta ne Konservatorin e Bukureshtit, Sotir Kozmo. Ai ngriti edhe te parin grup koral me vajza ne qytetin e Korçës. Tekstet e kengeve dhe muzika u kompozuan nga Mihal Grameno, Thoma Nasi, Spiridon Ilo, Koli Rodhe, Mihal Ballkameni dhe shume te tjerët te cilët kane mbetur anonime. Grupi ka me shume se 200 kenge patriotike, lirike dhe satirike. Ky kor është një simbol i këngës qytetare./ Abcnews.al

Mos rri jashtë: bashkohu me ABC News. Ne jemi kudo!