Përtej politikës: Gjaku i (pa)tretur!

schedule21:28 - 3 Mars, 2021

schedule 21:28 - 3 Mars, 2021

Më 5 shkurt 2021 ndërroi jetë profesori me emrin shqiptar Gjergj Pranga dhe emrin maqedonas Branislav Sinadinovski.

Profesori, shqiptar ortodoks, nga Kiçinica e Rekës së Epërme, shqiptari i dytë ortodoks, pas Josif Bagerit, që e theu heshtjen dhe iu kthye rrënjëve të veta shqiptare, deklartoi zyrtarisht kombësinë e tij shqiptare dhe punoi në rikthimin e shqiptarëve ortodoks nga asimilimi në identitetin e tyre natyral, atë shqiptar.

Në vitin 2014, më 28 nëntor, Gjergj Pranga doli zyrtarisht me kërkesën për një kishë ortodokse shqiptare në këtë vend.

Pasoi menjëherë reagimi i peshkopit Timotej nga kisha ortodokse maqedonase, i cili e quajti “projekt shovinist politik”.

Timotej i tha të përditshmes maqedonase  “Dnevnik”, se ideja ishte “aventurë joserioze.” Kisha Ortodokse Maqedonase deklaroi se nuk e kuptonte nevojën e formimit të Kishës Shqiptare, duke pasur parasysh, sipas saj, “numrin e papërfillshëm të shqiptarëve ortodoksë, sipas regjistrimit të fundit të popullsisë”. Kisha maqedonase shkoi edhe më tej duke e akuzuar profesorin për “rolin e tij asimilues në paraqitjen e maqedonasve ortodoksë të Rekës”  dhe shtoi se nuk e kishte të qartë as rolin e krerëve të partisë shqiptare të Ali Ahmetit, BDI, në gjithë këtë projekt.

Por Gjergj Pranga e kishte përgjigjen dhe e dha atë në promovimin e librit të tij kushtuar shqiptarëve ortodoksë.

Ai theksoi se nuk shihte ndonjë arsye për kontestimin e kësaj ideje nga kisha maqedonase, sepse “Kisha Shqiptare mund vetëm të ndihmojë në problemet që ka institucioni ortodoks maqedonas”.

Profesori krijoi bashkësinë ortodokse shqiptare në Maqedoninë e Veriut, edhe pse iu desh të kalonte presione të panumërta, deri në dhunim fizik disa herë, edhe në vitin 2018.

Departamenti Amerikan i Shtetit e përfshiu rastin e dhunës fizike ndaj tij në raportin vjetor, duke deklaruar se “në shtator, sipas profesor Branko Sinadinovskit, themeluesit të bashkësisë fetare të shqiptarëve ortodoksë, individë të panjohur u përpoqën ta sulmonin atë para shtëpisë së tij në Shkup.

Policia ndërhyri për të ndaluar sulmin. Sinadinovski tha se ai ishte vënë në shënjestër disa herë më parë dhe jeta e tij ishte nën kërcënim sepse ai e kishte deklaruar veten publikisht një shqiptar ortodoks, thuhet në raportin e Departamentit Amerikan të Shtetit.

Sinadinovski tha ministria e brendshme nuk kishte vepruar efektivisht pas sulmit të mëparshëm kundër tij.

Branislav Sinadinovski , ishte akademik, doktor i shkencave të historisë,  shkrimtar dhe diplomat.

Ishte i biri i Jakim Sinadinovskit, i cili gjatë kohës së luftës së dytë botërore, ishte rreshtuar me partizanët në Shqipëri, me emrin Gjergj Pranga.

“Emrin e kam Branko Sinadinosvski, po jam shqiptar, ortodoks shqiptar ma mirë me thanë. Ka ni vend që thirret Reka Epërme, është Rrethi Dibrës dhe ka nja shtatëmdhetë katunde si folin shqyp me mija vjet, mirëpo, mas nji kohe, e ndrrun e u asimilun e u bonë slloven”, thotë ai.

Ai pati probleme edhe brenda familjes. Motra e tij Liljana Sinadinovska – Andreevska, e quajti të vëllain mashtrues.

Por profesori përsëri u përgjigj:

 “Gjyshja dhe babai im flisnin shqip në shtëpi. Babai im më thoshte përherë se kemi prejardhje shqiptare. Në atë kohë, unë isha shumë i ri dhe nuk arrija ta ndjej nevojën për të njohur rrënjët e mia. Tani lexoj dhe shoh gjithçka thuhet në lidhje me këtë, dhe thjesht nuk e kuptoj pse ky fakt tronditi kaq shumë opinionin”, shprehet ai.

Prof. Dr. Branko Sinadinovski është autor i më shumë se 40 librave, ndër ta, librat për Josif Bagerin dhe Hasan Prishtinën, libri për “Shqiptarët ortodoksë në republikën e Maqedonisë” apo “Skënderbeu”. Ishte anëtar i Akademisë së Shkencave në Tiranë, Prishtinë dhe Shkup.

Ëndrra e tij për themelimin e bashkësisë së shqiptarëve ortodoksë në Maqedoninë e Veriut u bë realitet.

Në gusht të vitit 2017, u regjistrua ky komunitet fetar si i barabartë me të gjitha komunitetet e tjera fetare në Maqedoni.

U mblodhën qindra shqiptarë, ortodoksë e myslimanë , nga gjithë trevat shqiptare për shpalljen e bashkësisë fetare të shqiptareve ortodoksë në këtë vend.

 “Kjo bashkësi është e barabartë me të gjitha kishat dhe grupet religjioze që ekzistojnë në Maqedoni. Kjo për ne shqiptarët ortodoksë paraqet një vepër historike, sepse tregon që të gjithë atyre që na mohuan, ne iu treguam se ekzistojmë. Babai im ka bërë një studim që tregon se në Rekën e epërme jetojnë 60-70 mijë shqiptarë ortodoksë. Ata u asimiluan e u mohuan nga të gjithë, po nuk hoqën dorë nga përkatësia e tyre fetare dhe etnike”.

U promovua edhe libri i prof.dr. Branisllav Sinadinoskit, “Nga shënimet e babait tim”, i përkthyer në shqip, që sjell shumë të dhëna nga hulumtimet shumëvjeçare që Sinadinovksi ka bërë në krahinën e Rekës dhe shifra konkrete për ekzistencën e shqiptarëve ortodoksë në Maqedoni.

/abcbews.al/

Mos rri jashtë: bashkohu me ABC News. Ne jemi kudo!