Përshkallëzohet beteja tregtare mes SHBA-ve dhe Kinës

schedule10:28 - 14 Maj, 2019

schedule 10:28 - 14 Maj, 2019

Vijon të përshkallëzohet beteja tregtare mes Shteteve të Bashkuara të Amerikës dhe Kinës. Uashingtoni ka gati planin e ri për shtimin e tarifave ndaj produkteve kineze, çka analistët e interpretojnë si presion të administratës Trump ndaj Pekinit për të arritur një marrëveshje.

Zyra e përfaqësuesit tregtar të Shtëpisë së Bardhë, publikoi planin që do të çojë në shtimin e tarifave deri në 25% ndaj të gjitha importeve nga Kina. Pas hyrjes në fuqi të tarifave prej 25 për qind mbi 200 miliard dollarë importesh kineze, zyra e përfaqësuesit tregtar deklaroi se presidenti amerikan Trump urdhëroi nisjen e procesit për shtimin e tarifave tek të gjitha produktet e tjera kineze për një vlerë prej 300 miliard dollarë.

Vendimi shënon një përshkallëzim të ri mes Washingtonit dhe Pekinit më kuadër të negociatave për marrëveshjen tregtare.

Administrate amerikane publikoi listën e 3.805 kategorive të produkteve që do të goditen nga tarifat e reja, duke përjashtuar vetëm produktet farmaceutike, disa produkte mjekësore dhe mineralet e rralla.

Pavarësisht tensioneve, negociatat vijojnë ende dhe presidenti amerikan Trump tregohet optimist për suksesin e tyre. Thelbësor do të jetë takimi me presidentin kinez Xi Jinping i parashikuar gjatë samitit të G 20-ës në Japoni./ABC News Albania 24/7

Mos rri jashtë: bashkohu me ABC News. Ne jemi kudo!