Shtetet e Bashkuara të Amerikës duhet t’i mbajnë trupat në Siri për të parandaluar rigrupimin e grupit të Shtetit Islamik si një kërcënim i madh pas rënies së qeverisë së Bashar Assadit, ka thënë sekretari i Mbrojtjes, Lloyd Austin, për Associated Press.
Forcat amerikane nevojiten ende atje, posaçërisht për të mbajtur sigurinë në kampet e burgimit ku janë dhjetëra mijëra ish-luftëtarë të IS-it dhe anëtarë të familjes, ka shtuar Austin.
Janë diku 8,000-10,000 luftëtarë të IS-it në kampe, dhe të paktën 2,000 prej tyre konsiderohet shumë të rrezikshëm.
Nëse Siria lihet e pambrojtur, “mendoj se luftëtarët e ISIS-it do të hynin sërish në rrjedhë”, ka theksuar Austin.
“Mendoj se kemi ende punë për t’ia mbajtur këmbën në fyt ISIS-it”.
Presidenti i zgjedhur i SHBA-së, Donald Trump, u përpoq të tërhiqte të gjitha forcat nga Siria në vitin 2018 gjatë mandatit, që nxiti dorëheqjen e ish-sekretarit të Mbrojtjes, Jim Mattis. Ndërsa, grupi Hayat Tahrir al-Sham avancoi kundër Assadit muajin e kaluar, Trumpi postoi në rrjete sociale se ushtria amerikane duhet të qëndronte jashtë konfliktit.