Në shumë vende të botës jo vetëm autoritetet por dhe njerëzit e kanë të pamundur të hedhin pas krahëve kulmin e emergjencës së koronavirusit. Kryefjala e përbashkët është marrja e masave për përballjen me një valë të dytë të mundshme infektimesh.
Mjaftojnë simptomat e një të ftohure për t’u testuar për Covid-19. Këto janë masa shëndetësore inkurajuese nga qeveria australiane në shtetin e Viktorias. Dhe i përkasin sidomos atyre që jetojnë në gjashtë zonat e kuqe të atij rajoni. Në këtë zonë rastet me koronavirus janë sërish në rritje.
Guvernatori Daniel Andrews u shpreh se virusi është ende në rrotull dhe asgjë nuk ka përfunduar. Për këtë arsye askush nuk mund të shtiret sikur virusi është larguar.
Australia shihet si një rast i suksesit global kundër përhapjes së Covid 19, por pavarësisht kësaj mendon për një mbyllje të mëtejshme të kufijve për të ndaluar një valë të re infektimesh.
Në shtetet e Bashkuara të Amerikës është betejë e vërtetë mes zyrtarëve të lartë të shëndetësisë dhe presidentit amerikan Trump. Kreu i shtëpisë së bardhë mendon se pandemia është nën kontroll. Ndërsa ekspertët pohojnë se rastet shtohen pikërisht në zonat ku janë lehtësuar masat.
Është kjo arsyeja se pse autoriteti më i lartë shëndetësor në Shtetet e Bashkuara të Amerikës është kundër reduktimit të testeve. Anthony Fauci, drejtor i institutit kombëtar amerikan për infeksionet dhe alergjitë u shpreh se vendi po hyn në një fazë kritike dhe se dy javët e ardhshme do të jenë thelbësore për të vënë në provë aftësinë e autoriteteve për t’u përballlur me një valë të re të mundshme infektimesh.
Presidenti i Brazilit Bolsonaro duhet të bindet ndaj urdhrit të një gjykatësi qe e detyron të mbajë maskë kur lëviz në kryeqytet. Bolsonaro ka refuzuar çdo masë sociale dhe civile anti-covid 19. Brazili numëron 50 mijë viktima si pasojë e koronavirusit./abcnews.al