Përralla e Hilmar Jakobsen, yllit të hendboll që kaloi në kombëtaren e futbollit

schedule10:03 - 15 Nëntor, 2020

schedule 10:03 - 15 Nëntor, 2020

Hilmar Leon Jakobsen po përjeton një ëndërr dhe historia e tij është si e një përralle me fund të lumtur. Nga kombëtarja e hendbollit të Ishujve Faroe, tani është pjesë e kombëtares së futbollit. Gjithçka ka ndodhur në një kohë të shkurtër dhe pandemia i ka ardhur në ndihmë për këtë ndryshim.

Jakobsen lidhjen me futbollin e ka të hershme në fakt, pasi deri para gjashtë vitesh e ushtronte atë sport dhe ishte nga ata që spikaste me moshat. Tashmë është 23 vjeç dhe nga atëherë kanë ndodhur shumë gjëra. Futbollin në fakt nuk e kishte lënë me dëshirë.

“Gjithmonë kam dashur të jem futbollist, por doktorët më këshilluan të ndalem në moshën 17-vjeçare. Kjo për shkak se duhet të bëjë një operacion në kofshë. Ata më thanë që hendbolli do të ishte më i mirë për shëndetin time. Kjo ishte jashtëzakonisht zhgënjyese për mua në atë kohë”, tregon Jakobsen për BBC.

 

Jakobsen kunder Maribor

Në vitin 2013 ai kishte debutuar në ligën e parë të vendit të tij, me fanellën e HB Torshavn. Ishte vetëm 16 vjeç, ndër më të mirët e brezit të tij. Luante në mesfushë dhe idhull kishte legjendën e Liverpool, Stiven Gerard. Gjithsesi ëndrra e tij iu ndërpre në mes.

“Doja të kisha një karrierë si profesionist jashtë vendit tim, por e braktisa atë ëndërr dhe kalova në hendboll”, tregon Hilmar. Talenti nuk i mungonte dhe rezultoi që i riu të ishte mjaft i mirë edhe në hendboll. “U bashkova me H71, klubin më të mirë në Ishujt Faroe. Gjithashtu u bëra pjesë e kombëtares U20 dhe më vonë më ftuan edhe në ekipin kombëtarë të të mëdhenjve”, shton 23-vjeçari.

“Nisa të luaj në krahun e majtë dhe pastaj u shndërrova në mbrojtës në atë krah. Fitova tre tituj dhe dy kupa kombëtare me H71. Isha totalisht i përqendruar te hendbolli dhe as nuk guxoja të mendoja sërish për futboll”, rrëfen Jakobsen, jeta e të cilit ndryshoi sërish prej pandemisë. Hendbolli u ndal dhe ai mendoi të luante pak futbolli, për qejf.

 

Jakobsen me kombëtaren

“Në kushtet e krijuara, vendosa të luaj pak futboll me ekipin e dytë të HB, për të qëndruar në formë. Shënova dy gola në debutim dhe pastaj trajneri i ekipit të parë erdhi e më kontaktoi”, tregon djaloshi nga Ishujt Faroe. Jens Berthel Askou, ish-mbrojtësi i Norwich në Angli, kishte parë cilësi te Jacobsen.

“Fillimisht e refuzova. Më dukej ide e keqe, por pastaj u mendova për disa kohë dhe ndryshova mendje”, deklaron hendbollisti, që iu rikthye futbollit. Në gjashtë vite shumë gjëra kishin ndryshuar. Tani atë e shihnin si sulmues, jo si mesfushor. Direkt titullar dhe Jakobsen ishte në një situatë të re.

“Kurrë nuk kisha luajtur në atë pozicion më parë, as me moshat. Trajneri mendoi se duhet të më përdornin në zonën e penalltisë”, shprehet ai, ndërkohë që trajneri kishte pasur të drejtë. Në Korrik Jakobsen shënoi në tre ndeshje radhazi, kurse në vjeshtë ishte edhe më në formë.

Sulmuesi realizoi në pesë ndeshje njëra pas tjetrës. 12 gola dhe 5 asiste në 17 ndeshje, shifra mjaft të mirë, për të mos menduar më pas që bëhet fjalë për një lojtar që për gjashtë vite merrej me hendboll.

 

Jakobsen ne nje ndeshje hendbolli

Në vitin 2019 ai kishte fituar kupën dhe kampionatin me H71, kurse në vitin 2020 ai iu gëzua titullin kampion me fanellën e HB Torshavn. Të shtunën e shkuar ai ishte në fushë në sfidën kundër KI, ndërkohë që në dhomat e zhveshjes mori lajmin e madh.

“Trajneri hyri në dhomën e zhveshjes dhe kërkoi nga të gjithë të heshtnim, ndërkohë që njoftoi se unë isha thirrur në ekipin kombëtare. Ishte diçka e mahnitshme. Shokët e mi të ekipit ishin të lumtur dhe më derdhën një shishe shampanje në kokë”.

Jakobsen ishte përballur me Lituaninë në janar me kombëtaren e hendbollit dhe të mërkurën pati mundësinë të ndeshej në nivel ndërkombëtar me të njëjtin vend edhe në futboll. Ai luajti titullar dhe bëri një ndeshje të mirë, por nuk shënoi dot. Ishte vetëm një miqësore.

 

Jakobsen me fanellene HB Torshavn

Dje luajti sërish, kundër Letonisë, në Nations League. Disa minuta në fund, ndërkohë që viti 2020 ka qenë një mrekulli për të. “Ky është padyshim viti më i mirë i jetës sime. Papritmas jam sërish futbollit, duke fituar tituj dhe duke përfaqësuar vendin tim në sportin e preferuar.

Liverpool ndërkohë fitoi titullin na Angli dhe kjo e bën këtë vit edhe më të mirë. Unë nuk kisha lindur kur ata kishin triumfuar në vitin 1990. Nga tani i jam përkushtuar totalisht futbollit dhe jam takuar me disa prej atyre me të cilët kam luajtur me moshat.

Ata nuk ndalojnë së qeshuri kur e mendojnë se çfarë më ndodhi këtë vit. Tani synimi është të luaj jashtë, Kjo është ajo që doja që fëmijë dhe mund ta mendoj përsëri. Ndoshta do të mund të transferohem në Danimarkë, Suedi ose Norvegji dhe më pas të shkoja edhe në ndonjë kampionat më të madh. Kush e di? Jeta është plot me surpriza”, përfundon Jakobsen. /abcnews.al

Mos rri jashtë: bashkohu me ABC News. Ne jemi kudo!