Kërkesa e bashkisë së Tiranës drejtuar partisë Fryma e Re Demokratike për të liruar zyrat me qëllim rikonstruksionin e tyre solli sot përplasje të forta.
Kjo ngjarje përfshiu edhe Presidentin Ilir Meta, i cili u përplas fizikisht me policët bashkiakë, të cilët kërkonin lirimin e ambienteve.
Gazetari Juxhin Mustafaraj ka siguruar kontratën mes bashkisë në këtë rast huadhënësi dhe FRD, huamarrësit, e cila është nënshkruar në vitin 2016. Kontrata është firmosur nga Sekretari i Përgjithshëm i partisë në atë kohë, Gazment Oketa dhe ka afat 1 vjeçar, ku nuk specifikohet e drejta e ripërtëritjes.
Një ndër pikat e rëndësishme të kontratës është: “Nëse huadhënësi vendos për zgjidhjen e kontratës, njofton huamarrësin dhe sendi duhet të kthehet me kërkesën e tij të parë, brenda 20 ditëve nga marrja e njoftimit”.
Neni 7 më tej parashikon, “palët bien dakord që të gjitha mosmarrëveshjet e mundshme që mund të lindin të zgjidhen me mirëkuptim në rast të kundërt kompetente për zgjidhjen e tyre do të jetë Gjykata Administrative” .
Lexo edhe: Veliaj flet për ABC për nxjerrjen e FRD-së nga zyrat: Përplasja me Metën do të hyjë në histori
Ndërkaq, në shkresën e bashkisë për FRD, të cilën kjo parti politike e cilëson si pavlefshme nuk argumentohet mbarimi i kontratës, por kërkohet lirimi i ambienteve për shkak se do të kryhen punime.
Në të dyja rastet FRD pretendon se bashkia duhet të shkojë në Gjykatën Administrative për të kërkuar lirimin e ambienteve.
Ndërkaq, kjo forcë politike, e ka cilësuar atë që ndodhi si politike, pasi FRD ish partia e Bamir Topit sot e drejtuar nga Sali Shehu nënshkroi marrëveshje koalicioni me PD. Gjithashtu ngjarja u dënua edhe nga Partia Deomkratike si dhe vetë kryetari Lulzim Basha. g.v/abcnews.al