Gjykata ngriu debatin në PD lidhur me Kuvendin e 2 Shtatorit, në pritje të vendimeve gjyqësore për Kuvendet e Dhjetorit 2021 të të dy grupimeve që pretendojnë vulën dhe logon e partisë në Gjykatën e Lartë. Kjo lë në fuqi vendimet e Kuvendit të 2 Shtatorit që shkarkuan Gazment Bardhin nga kryetar grupi.
Analisti Frok Çupi, në një intervistë për “NewsLine” theksoi se kjo çështje që tashmë është gjykuar.
“Basha është zgjedhur kryetar i PD në të njëjtën ditë me zgjedhjen si kryetar është shkruar në status se kryetari i PD për sa kohë që nuk ka nënkryetar do të jetë edhe kryetar i grupit parlamentar. Është thuajse si një situatë lufte në kuptimin jo të betejës por një çështje që janë në grindje me njëri tjetrin dhe nuk duan t’i lënë hapësirë njëri-tjetrit. Këtu ka një problem gjyqësor që kanë qenë të pavëmendshëm kur kanë bërë kërkesën në gjykatë, për sa kohë që njëra palë ka dërguar për gjykim çështjen e vet dhe është futur në gjykim, është ai fenomeni i famshëm në drejtësi që nuk mund të gjykohet gjëja e gjykuar. Kështu që jemi para gjësë së gjykuar, është njësoj si të thuash se një vendim i gjykatës kushtetuese për një çështje e njëjta gjë ka ndodhur shpeshherë për shkak të qëllimeve të këqija të gjykatësve, që një çështje që është gjykuar në Kushtetuese është gjykuar përsëri në atë të Shkallës së Parë. Tani në të njëjtën kohë, vihet në radhë çështja gjyqësore.“, tha ai.
Ai komentoi gjithashtu edhe anulimin e mbledhjes së Këshillit Kombëtar të Integrimit, që drejtohet nga Jorida Tabaku. Pas përplasjeve të dy rrymave të PD-së në Kuvend, si përplasja e Dash Sulës me Kreshnik Çollakun, Tabaku anuloi mbledhjen ku ishte parashikuar të fliste ambasadori i BE-së, Luigi Soreca.
“Atje do të shkonte vetë i dërguari i Këshillit të Evropës, Soreca dhe pavarësisht se çfarë grindjesh ka në parlament, Këshilli Evropian nuk mund të pranojnë që përfaqësuesit e tyre të jenë thjesht online sepse nuk jemi në një situatë të jashtëzakonshme. Kështu që qëndrimi i përfaqësueses së PD dëshmon sa për dinjitet, për të mos e lëshuar veten deri në pikën saqë të vijë ambasadori i Këshillit të Evropës dhe të marrë pjesë në një grindje, atëherë do të bëhej lajm për Evropën. Evropa dhe partnerët nuk po e shikojnë këtë që po ndodh në PD si një çështje që nuk meriton vëmendje. Por është një akt i dirigjuar i tëri nga Berisha që tenton, është njëra nga meduzat e aktit të Berishës. Ai po vepron në disa drejtime, në mospranimin e marrjes së vendimit të gjykatës, e dyta po tenton të sulmojë me dhunë parlamentin dhe e treta, po tenton të bllokojë procesin ligjvënës në komisionet parlamentare“, shtoi analisti./abcnews.al