Përplasjet mes karteleve të drogës në Meksikë, shpërngulen qindra qytetarë nga frika

schedule07:21 - 24 Janar, 2024

schedule 07:21 - 24 Janar, 2024

Qindra njerëz janë larguar nga shtëpitë e tyre në Meksikën jugore, ndërsa kartelet rivale luftojnë për kontrollin e rrugëve që përdoren për kontrabandën e drogës dhe emigrantëve, raporton BBC.

Vendasit treguan se u mbyllën në shtëpitë e tyre, ndërsa plumbat fluturonin gjatë një përleshjeje me armë për gati shtatë orë mes dy grupeve.

Më shumë se 700 banorë ishin zhvendosur nga komunitetet e tyre pranë kufirit të Guatemalës.

Karteli i “Jalisco New Generation” (CJNG) po përpiqet t’ia heqë kontrollin e zonës kartelit Sinaloa.

Organizatat kriminale si CJNG dhe karteli Sinaloa janë infiltruar në rajon për shkak të afërsisë me kufirin me Guatemalën dhe rrugëve të rëndësishme të tranzitit për emigrantët, të cilët ata i zhvatin.

Komunitetet më të goditura janë Chicomuselo dhe La Concordia në shtetin Chiapas. Banorët e Chicomuselo thanë se 20 persona – 18 anëtarë të bandës dhe dy vendas – u vranë në një betejë karteli më 4 janar.

Megjithatë, zyra e prokurorit të shtetit Chiapas lëshoi një deklaratë pesë ditë më vonë duke thënë se nuk kishte marrë asnjë raport për ndonjë vrasje në zonë.

Ushtria është dislokuar në rajon, por vendasit thonë se tani janë në mes të zjarrit kur forcat e sigurisë përballen me kartelet.

Familje të tëra kanë lënë shtëpitë e tyre dhe kanë kaluar me varkë liqenin e Angosturas për t’i shpëtuar dhunës së ditëve të fundit.

Gazetarët vendas thanë se fshatrat tani u ngjanin qyteteve fantazmë.

Mos rri jashtë: bashkohu me ABC News. Ne jemi kudo!