Luftëtari u mposht dje në Korçë dhe në kampin bluzi vijon të ketë tension. Pas zënkave para ndeshjes me Skënderbeun, edhe pas sfidës ka pasur probleme. Donald Açka dhe Joan Çela janë kapur mes tyre dhe kjo gjë është komentuar edhe nga ana e trajnerit Neritan Novi.
“Unë nuk pashë gjë, isha këtu në pankinë. Probleme të lojtarëve me njëri-tjetrin, s’pati ndonjë incident. Pse ky nervozizëm? Ndoshta nga humbja. Ne, po ta shikosh, jemi drejt rënies nga kategoria dhe të gjithë këto bëjnë që të ketë nervozizëm në fushë”, u shpreh tekniku i Luftëtarit, që më pas flet për ndeshjen.
“Dua të të them që luajtëm me një ekip me emër në vendin tonë, që ka dalë 6 herë kampion. Pavarësisht problemeve që ka ky ekip, për mua është ndër më të mirët në Shqipëri. Ne kemi gabuar në dy momente në qendër të mbrojtjes dhe u ndëshkuam nga dy gola”, deklaroi Novi.
Meraku i teknikut bluzi është vetëm një: “Unë nuk pres më shumë seç dhamë në fushë. Më shqetëson vetëm goli. Dua të shikoj që sulmuesit të shënojnë një gol, që të mbetem i kënaqur. Për shpirtin e garës dhe veprimet e tjera që bëjnë, jam i kënaqur. Nuk pres më shumë nga këta”.
Luftëtari renditet i parafundit dhe rënia një kategori më poshtë është shumë pranë, por Novi thekson se nuk kanë ndërmend të tërhiqen nga gara.“Nuk jam dorëzuar, do e vazhdojmë kampionatin deri në ditën e fundit. Nuk do i hapim rrugë asnjërit dhe në fund do të mendojmë për të ardhmen. Ne do ta vazhdojmë kampionatin deri në fund”, përfundoi trajneri i Luftëtarit, Neritan Novi. /abcnews.al