Ministrja Elisa Spiropali e ftuar në “Mbrëmje ABC” është pyetur nga gazetarja Mirela Milori se si mund të shmanget përplasja më 30 qershor, pasi mund të ketë një numër të madh njerëzish që mund të thyejnë Kodin Penal? Ministrja është shprehur se më 30 Qershor do garantohet siguri dhe stabilitet.
Mirela Milori: “Dënohet me vite burg, do iu ndalohet hyrja në BE… por edhe ligji bie po qe një masivitet i madh njerëzish që thyejnë Kodin Penal. Si do veprohet? S’ka më efekt ligji kur njerëzit janë 20 mijë, 40-mijë, 50 mijë…”
Elisa Spiropali: “E para ne një herë nuk e besojmë që kjo do të ndodhë në të gjithë skenarët. Është gati e pamundur që kjo të ndodhë nga ana praktike. Por ne e kemi parashikuar në të gjithë skenarët e mundshëm dhe ne nuk jemi aty për të mbrojtur me trup kutitë dhe për të ngritur trupat tanë paramilitarë që të luftojmë me të tyret, nuk kemi ndër mend që ta bëjmë këtë gjë. Ne do respektojmë ligjin, do paraqitemi në votim. Qytetarët do votojnë të lirë dhe nuk ka njeri që t’u dalë para qytetarëve që duan të shprehin vullnetin e tyre. Pyetja juaj duhet të ishte e përmbysur. Ju duhet të pyesni si ka mundësi që ka një lider, udhëheqës politik i cili pretendon me të madhe se do të prishë zgjedhjet në Shqipëri? Ju duhet t’ia bënit këtë pyetje”.
Mirela Milori: “Kjo pyetje mund të bëhet tek ERTV-ja, kur bën ato njoftimet dhe intervistat me përfaqësues të qeverisë. Gazetari përkatës mund ta bëjë këtë pyetje, dhe unë e kuptoj. Por këtu pyetjet bëhen siç mendoj”.
Elisa Spiropali: “Jo kjo pyetje duhet të bëhet në çdo televizion, në çdo banak dhe në çdo studio, ku ka gazetarë që i duan të mirën këtij vendi”.
Mirela Milori: “Po po të gjitha pyetjet i bëjmë neve. E mira për ne është që të mos ketë përplasje atë ditë, ne vetëm këtë duam. Se fitoni ju, se fitojnë ata, ne duam stabilitet, qetësi dhe siguri”.
Elisa Spiropali: “Duam të njëjtën gjë. Dhe këtë siguri do e garantojmë, sepse e garanton ligji, e garantojnë strukturat shtetërore. Ne këtë kemi në dorë të bëjmë dhe si parti politike të paraqitemi në zgjedhje. Ata që bëjnë thirrje për të prishur zgjedhjet, ata që bëjnë thirrje për të përplasur shqiptarët në ditën e zgjedhjeve, ata që bëjnë thirrje për ’97 të dytë apo më keq se ka, apo të tjera marrina, janë ata që duhet të përgjigjen”./abcnews.al