Kjo situatë ndodhi vetëm pak minuta pas nisjes së mbledhjes së këshillit bashkiak të Tiranës.
Kryetari Erion Veliaj ishte duke folur për hapjen e dy çerdheve në kryeqytet kur u godit me letra nga këshilltari i Partisë së Lirisë, Tedi Blushi.
Ky moment tensioni u pasua me përplasje fizike mes Blushit dhe këshilltarit socialist Halit Valteri pasi ky i fundit i doli në krah Veliajt.
Momenti nuk u transmetua live por pas sherrit në bashki mbledhja e këshillit u ndërpre ndërsa këshilltari i Partisë së Lirisë u shoqërua në polici.
Në një reagim në rrjetet sociale Veliaj e cilësoi sjelljen e Blushit vandale dhe shenjë dëshpërimi.
“Sot Këshilli Bashkiak do të votonte hapjen e dy çerdheve të reja, abonetë falas për studentët, miratimin e shkollës ‘Ecole 42’ për të rinjtë, zonën e lirë ekonomike TEDA për 5 mijë vende të reja pune dhe grantin e Katarit për sheshin fundor te Bulevardi i Ri. Por, Ilir Meta dhe rrugaçi i fundit që i ka mbetur, nuk e përballojnë dot as suksesin e Tiranës dhe as humbjen kolosale të partiçkës së tyre. Sjellja prej vandali ndaj kolegëve këshilltarë, është shenjë dëshpërimi, jo force.”
Për përplasjen fizike në bashki reagoi edhe Kryetari i Partisë së Lirisë, Ilir Meta i cili shpalli “gjendjen e luftes” me Veliajn./abcnews.al