Përplasja dhe tensionet mes Donald Trump dhe Volodymyr Zelenskyt të premten në Zyrën Ovale në Shtëpinë e Bardhë tërhoqën vëmendjen e gjithë botës. Presidenti amerikan e akuzoi homologun e tij se po nxit Luftën e Tretë Botërore dhe se nuk dëshiron që të ketë paqe në Ukrainë.
Duke folur për këtë përplasje dhe mesazhet që u përcollën, eksperti i sigurisë Xhavit Shala tha në emisionin “360 gradë” e cilësoi ngjarjen si një “shfaqje teatrale” ku përfituan të dyja palët. Për kapitenin Dritan Goxhaj, asnjëra palë nuk doli e fituar, por ata që e “shijuan” këtë përplasje ishin rusët.
Enika Abazi, eksperte për marrëdhëniet ndërkombëtare, u shpreh se Trump kërkon që t’i ofrojë Zelenskyt garanci ekonomike. Sipas saj, qëllimi i presidentit amerikan është arritja e objektivit të fushatës, që t’i japë fund luftës sa më shpejt të jetë e mundur ndërsa për Zelenskyt, qëllimi është garancia e sigurisë.
Pjesë nga diskutimi:
Xhavit Shala: Ishte një përzierje midis artit skenik dhe diplomacisë. Ishte një shfaqje teatrale e përgatitur bukur nga amerikanët por edhe Zelensky si aktor, pavarësisht në nivel mesatar, luajti artin e vet skenik. Në këndvështrimin tim, të dy palët ishin të përgatitur nga kjo situatë dhe të moskonkludonin në asgjë. Të dyja palët dolën të fituara. I folën publikut të tyre për përpjekjet që ata bëjnë për të kthyer shpenzimet e mëdha nga SHBA në Ukrainë, ndërsa Zelensky arriti të kuptojë në kohë dhe e shfrytëzoi për të mos e nënshkruar p siguruar diçka në këmbim. Atij iu ofrua marrëveshja për rreth 500 miliardë dollarë por ta nënshkruante për ndihmat që ishin dhënë dhe jo për ndihmën që pritej të jepej.
Enika Abazi: Mendoj se nuk është se fituan të dyja palët se e gjithë situata u mbyll në një gjendje që nuk është në favor të Ukraiëns që pret të marrë ndihmën e SHBA. Nuk mund të them se Trump ishte fitues. Zelensky priste të merrte mbështetje nga SHBA për vazhdimin e ndihmës ndaj Ukrainës. Trump u mundua ta shpjegojë vetë se nëpërmjet kësaj arrita të kuptoj qëllimet e tjetrit. Trump në një moment të caktuar e shpjegoi situatën, Zelensky nuk ka ardhur për një marrëveshje paqeje. Ai do të fuqizohet. Trump u mundua t’i jepte garanci ekonomike se nëse investimet amerikane të shkonin në Ukrainë do të ishte më e vështirë për Rusinë që nesër të sulmonte. Secila palë duket se nuk kishte të njëjtin objektiv, Trump donte të realizonte objektivin e fushatës, vendosjen e paqes ndërsa Zelensky donte garanci.
Dritan Goxhaj: Patëm përplasje mes arrogancës së superfuqisë dhe injorancës së një të vogli. Para se të bëhej takimi ishin marrë vesh për çfarë do të nënshkruanin. Ishte bërë gati gjithçka dhe në momentin e fundit Zelensky ndryshoi. Nuk dolën të fituar as amerikanët dhe as ukrainasit, por vetëm rusët. Iu dha fund një marrëzie që ka nisur para tre viteve dhe filloi një që po nis në Evropë. Marrëzia e para tre viteve që nxitën Ukrainën në këtë luftë kur kishte mundësinë që të bënte paqen. Por amerikanët dhe anglezët e nxitën dhe e futën në këtë luftë. Kësaj marrëzie po i jepet fund dhe po nis një marrëzi tjetër në Evropë që po e nxit sërish Ukrainën.
Enida Bozheku: Hera e parë në historinë diplomatike që të ketë përplasje trelaterale. Nuk është parë kurrë në asnjë diskutim që të ndërhyjë një zëvendës president dhe t’i drejtohet në atë lloj mënyre ku kufijtë diplomatikë ishin të rënë. Mendoj që Trump nga informacionet dhe komunikimet edhe me të vetët, kjo qasja me kamera, e ka ditur që nuk do të kishte marrëveshje dhe ishte mesazh për popullin e vet dhe për Evropën. Mendoj se ishte kurth në të cilin Zelensky ra si i kundër informuar nga aleatët e BE ishte levë e përdorur nga BE dhe menjëherë Anglia thërret më pas Evropa. Mesazhi nuk ishte për Zelenskyn por për BE./abcnews.al

