Nga Srulik Einhorn, The Jerusalem Post
Përktheu: Sonila Backa-abcnews.al
Fati i Ukrainës do të vendoset në të ardhmen e afërt, por ne nuk e dimë nëse presioni ndërkombëtar do të pengojë forcat ruse apo nëse forcat ruse do të pushtojnë Kievin. Por edhe tani, mund të themi se fushata e mediave sociale e zhvilluar nga Ukraina është një nga fushatat më brilante gjatë dekadave të fundit.
Ukrainasit kanë arritur të fitojnë të gjithë mbështetjen e opioninit publik në Perëndim. Përdorimi i rrjeteve sociale nga Zelensky arriti të mposhtë një sistem propagandistik që u përpoq të përhapte lajme të rreme duke pretenduar se ai u dorëzua apo se u largua nga fusha e betejës.
Zelensky i menaxhoi vetë rrjetet e tij sociale, u shfaq para publikut dhe i përcolli personalisht mesazhet. Propaganda ruse do të kishte fituar nëse Zelensky nuk do të kishte përdorur rrjetet sociale për të komunikuar me popullin. Falë aktivitetit digjital të Zelensky-t, ushtria dhe qytetarët ukrainas janë në anën e Presidentit dhe të mediave perëndimore, raporton abcnews.al.
Marrëdhëniet me publikun dhe imazhi nuk janë gjithçka. Fuqia ushtarake e Rusisë mund të jetë vendimtare dhe madje të fitojë mbi opinionin publik. Kjo është një betejë e vijës së parë, por një luftë tjetër është duke u zhvilluar.
Nëse Ukraina arrin të fitojë, kjo do të jetë vetëm falë fushatës që ka pasur një impakt të gjerë. Situata në Europën Lindore është komplekse. Shtetet e Bashkuara po nxisin Ukrainën të anëtarësohet në NATO. Për sa i përket Presidentit rus Vladimir Putin , është e papranueshme që kjo aleancë ushtarake anti-ruse të vendosë forcat ushtarake amerikane qindra milje larg Moskës.
Putin ka paralajmëruar vazhdimisht kundër kësaj lëvizjeje. Edhe pse ky shqetësim nuk justifikon veprimet e Putinit, ai duhet të merret parasysh si një fakt i rëndësishëm gjeopolitik.
Zelensky, ndoshta për shkak të historisë së tij në marrëdhëniet me publikun, komedinë dhe televizionin, mori dy vendime të zgjuara strategjike.
Së pari, ai e portretizoi Ukrainën si palën e dobët. Njëherë e një kohë, të qenit i fortë konsiderohej si avantazh. Sot, falë rrjeteve sociale, pushteti ka kaluar në duart e të dobtëve.
Së dyti, Zelensky nuk u përpoq të arrinte një kompromis me Putinin; në vend të kësaj, ai e përshkroi Ukrainën si të varfër dhe të dobët.
Zelensky nuk e përmendi NATO-n në fjalimet e tij të shumta. Në vend të kësaj, ai luajti me ndjenjën perëndimore se kushdo që është i dobët është i privuar, nuk pranohet në aleancë. Ai arriti shumë shpejt të bindë Perëndimin se situata komplekse është e njejtë me stilin e të ndjerit Arthur Finkelstein, jemi “ne” ose “ata”.
Vendimi i dytë i Zelensky ishte të bëhej vetë heroi i luftës. Në Perëndim, personazhet janë të dashur dhe Zelensky konsiderohet një personazh i tillë. Ai duket pozitiv, i dashur, një person me vendosmëri dhe besim, raporton abcnews.al.
Ukraina gjithashtu ka një ushtri, dhe ata gjithashtu përdorin dhunën. Por ne nuk e kemi parë ushtrinë ukrainase. Ne kemi parë vetëm Zelensky dhe civilë. Ideja se rrjetet sociale nuk janë mjete propagandistike, por një mjet për komunikim të drejtpërdrejtë, i kanë dhënë Zelensky-t një vlerësim pozitiv prej 90%.
Por Ukraina ka përdorur disa truke të shkëlqyera. Ukraina lejoi ushtarët rusë që ishin kapur rob të flisnin me nënat e tyre, dhe kjo tregon humanizmin e saj. Kjo e portretizon gjithashtu vendin si paqedashës, i cili kujdeset edhe për ushtarët e armikut, ndërsa fati i ushtarëve ukrainas të kapur rob nga Rusia nuk dihet ende.
Konferencat për shtyp të Zelensky-t ishin gjithashtu një vendim strategjik. Ndërsa Putini po qëndron në një kafaz të artë në Kremlin, Zelensky u rrethua nga disa gazetarë të huaj në një bunker, duke i impresionuar të gjithë.
Ukraina ka një ushtri të dobët, por rrjetet sociale janë të forta.
Zelensky ka njohur mjetet e fuqisë së butë dhe ndjeshmërinë e botës perëndimore dhe është duke shfrytëzuar më të mirën prej tyre për të ushtruar presion dhe për të vendosur sanksione ndaj Rusisë.
Pa ndihmën e Perëndimit, ai do të ishte mposhtur shumë shpejt.
/abcnews.al