Gjykata Kushtetuese i jep të drejtë Presidentit Ilir Meta në konfliktin me kryeministrin mbi dekretimin e ministrave.
Përplasja për emërimin e Gent Cakajt ministër të Jashtëm bëri që Edi Rama ta çonte Presidentin në Gjykatën Kushtetuese për të interpretuar nenin 98 të Kushtetutës nëse kreu i shtetit ka thjeshtë rol formal, ceremonial për të dekretuar emrin që i vendos në tryezë kreu i ekzekutivit apo edhe mund ta refuzojë?
Në përfundim të interpretimit, Gjykata Kushtetuese njëzëri vendosi që t’i japë të drejtë Presidentit, që do të thotë se nuk ka vetëm kompetenca formale, por rol thelbësor dhe mund të bëjë verifikime.
Kjo evidentohet në pikën e fundit të vendimit, ku Gjykata Kushtetuese deklaron qartë se “vlerësimi dhe verifikimi i kandidatit për ministër, bëhet nga të tre organet e përfshira në proces, që janë Kryeministri, Presidenti dhe Kuvendi dhe secili sipas rolit dhe kompetencave të tij kushtetuese, brenda afateve kushtetuese, në përputhje me arsyetimin e këtij vendimi” thotë vendimi.
Vendimi i sotëm pritet që të hapë një tjetër spirale konflikti në shtator mes dy institucioneve në dekretimin e qeverisë “Rama 3” nga presidenti aktual Ilir Meta, pasi me vendimin e sotëm kreut të shtetit i lind e drejta që të përsërisë precedentin.
VENDIMI I GJYKATES KUSHTETUESE
Gjykata Kushtetuese e Republikës së Shqipërisë, mori në shqyrtim në seancën plenare të datës 18.05.2021, çështjen me kërkues Kryeministri i Republikës së Shqipërisë, me objekt: “Zgjidhja e mosmarrëveshjes së kompetencave ndërmjet Kryeministrit të Republikës së Shqipërisë dhe Presidentit të Republikës së Shqipërisë. Interpretimi i nenit 98, pika 1 të Kushtetutës së Republikës së Shqipërisë”.
Në përfundim të shqyrtimit, Gjykata Kushtetuese, njëzëri,
VENDOSI:
– Pranimin e pjesshëm të kërkesës.
– Pushimin e gjykimit për kërkimin mbi zgjidhjen e mosmarrëveshjes së kompetencës, ndërmjet Kryeministrit dhe Presidentit të Republikës së Shqipërisë.
– Interpretimin përfundimtar të nenit 98 të Kushtetutës, për sa vijon:
– Në procedurën e emërimit dhe shkarkimit të ministrit, Kryeministri, Presidenti dhe Kuvendi, udhëhiqen nga parimi i luajalitetit kushtetues dhe atij të ndarjes dhe balancimit të pushteteve.
– Kompetenca për emërimin dhe shkarkimin e ministrit ndahet ndërmjet tre organeve të mësipërme.
– Procesi i emërimit të ministrit duhet të garantoje përmbushjen e kritereve dhe cilësive kushtetuese për këtë funksion.
– Vlerësimi dhe verifikimi i kandidatit për ministër, bëhet nga të tre organet e përfshira në proces, secili sipas rolit dhe kompetencave të tij kushtetuese, brenda afateve kushtetuese, në përputhje me arsyetimin e këtij vendimi.
Vendimi përfundimtar do të shpallet i arsyetuar brenda afateve ligjore të parashikuara nga ligji nr. 8577, datë 10.02.2000 “Për organizimin dhe funksionimin e Gjykatës Kushtetuese të Republikës së Shqipërisë”, i ndryshuar.
db/ Abcnews.al