Përplasja për “Prespën”, jep dorqëheqjen ministri grek i Mbrojtjes

schedule11:13 - 13 Janar, 2019

schedule 11:13 - 13 Janar, 2019

Ministri grek i Mbrojtjes, Panos Kamenos ka dhënë dorëheqjen, duke rritur rrezikun që Greqia të shkojë në zgjedhje të parakohshme. Shkak për këtë lëvizje të Kamenos, partia e të cilit ka braktisur koalicionin qeverisës, është bërë Marrëveshja e Prespës me Maqedoninë.

Që nga paraditja e së dielës kryeministri grek Aleksis Tsipras ka mbetur pa aleatin e vetë në koalicionin qeveritar, ministrin e Mbrojtjes Panos Kammenos. Pas një takimi me kryeministrin, që zgjati rreth gjysmë ore, Kammenos u njoftoi gazetarëve vendimin e tij që të largohet nga qeveria, ashtu sikurse dhe anëtarët e tjerë të partisë së tij “Grekët e Pavarur”. Ky largim i jep fund “martesës” midis radikalëve të majtë dhe së djathtës patriotike, një bashkëjetesë që zgjati thuajse katër vjet, që nga 25 janari 2015. Kammenos e falënderoi Tsiprasin për bashkëpunimin dhe tha se objektivi i parë i bashkëqeverisjes ishte dalja e Greqisë nga programet e shpëtimit. “Patëm një bashkëpunim për katër vjet në një qeveri të unitetit kombëtar. Arritëm ta nxjerrim vendin nga programi i shpëtimit, mirëpo çështja e emrit të Maqedonisë nuk më lejon të mos sakrifikoj karrigen. Për çështjen kombëtare nuk mund të vazhdojë ky bashkëpunim. Grekët e Pavarur largohen nga qeveria”, deklaroi Kammenos. Largimi i Kammenos dhe partisë së tij mund të sjellë shumë shpejt zgjedhje të parakohshme në Greqi. Kryeministri Tsipras ka thënë se do të kërkojë votëbesim për qeverinë e tij, tashmë me minorancë dhe ka paralajmëruar që në rast dështimi do të shpallë zgjedhje të parakohshme. Por para kësaj, Tsipras është i vendosur që të votohet marrëveshja e Prespës, për të cilën shprehet i sigurt se i zotëron të paktën 151 vota, edhe pa ato të ministrit të Mbrojtjes./abcnews.al

Mos rri jashtë: bashkohu me ABC News. Ne jemi kudo!