Përplasja për kreun e Kushtetueses/ Avokati Kara: Kryetarja Zaçaj, konflikt interesi me veten. Mund të ndiqet penalisht nëse…

schedule18:26 - 11 Dhjetor, 2024

schedule 18:26 - 11 Dhjetor, 2024

Avokati Romeo Kara thotë se Holta Zaçaj, kryetarja e Gjykatës Kushtetuese, ka konflikt interesi me veten, teksa ajo i është drejtuar për opinion Komisionit të Venecias.

Në një intervistë për “Tirana Live” në ABC News, Kara u shpreh se nuk ka arsye pse Zaçaj t’i drejtohet Komisionit të Venecias.

Sipas Karajt, nëse ajo ka zëvendësuar një person, i cili e ka afatin deri në mars 2025, ajo do qëndrojë si kryetare e Kushtetueses deri në këtë datë. Avokati shtoi se Zaçaj mund të ndiqet penalisht, nëse kërkon ta mbajë pozicionin zyrtar në mënyrë të paligjshme.

“Nëse ka zëvendësuar një person, i cili është larguar përpara afatit dhe ai person e ka pasur afatin deri në mars të 2025, do qëndrojë deri në 2025. Nëse është kualifikuar si gjyqtare e tillë nga Gjykata e Lartë, duke filluar punë rishtas, do e ketë mandatin 3 vjet. Procedura nis me njoftimin e vakancës nga Gjykata Kushtetuese, por këtu ka konflikt interesi, zonja me veten. Zonja në fjalë, ka ardhur rishtas, apo ka zëvendësuar Vitore Tushën. Zonja do të rrijë aq sa do qëndronte Vitore Tusha. Këto janë orekse të çdo qënie njerëzore kur kanë të bëjnë me posta të tilla. Nuk ka bërë keq Gjykata e Lartë që ka shpallur vakancën. Mendoj që nuk ka vend që një Gjykatë Kushtetuese, t’i drejtohet Komisionit të Veencias, është komision këshillimor. Ajo e di që Gjykata Kushtetuese bën interpretimin përfundimtar të kushtetutës. Edhe sikur Venecia shprehet se ajo mund të rrijë, ajo nuk duhet të rrijë atje. Do japë mesazh mjaft të keq. Ky person mund të shkojë për disa vepra të ndryshme, shpërdorim detyre, mbajtja e padrejtë e postës. Gjykata e Lartë do vazhdojë punën e saj, do emërojë personin tjetër, do ketë forma të tjera ligjore që do e ndalojnë. Nuk do dalë asgjëkundi, do cënojë pozicionin e vet në publik. Edhe mund të ndiqet penalisht, nëse do të kërkojë të mbajë pozicion zyrtar në mënyrë të paligjshme”, theksoi ai./abcnews.al