Sekretarja për gruan në PD, Taulanda Jupi, foli për incidentin e ndodhur në Komisionin e Medias, ku deputetët Gazment Bardhi e Flamur Noka debatuan ashpër me Flutura Açkën, gjatë mbledhjes, duke i shkulur kësaj të fundit edhe mikrofonin teksa po fliste.
Gjatë kësaj interviste, në “News Line” në ABC Jupi u shpreh se deputetët duhet të kërkojnë ndjesë për veprimet e tyre dhe se është e pafalshme që qytetarët të shohim pamje të tilla nga figurat politike.
“Unë duhet të reagoj jo vetëm për detyrën që mbaj, por në radhë të parë për një dukuri të tillë. Dy deputetë guxuan të ushtronin dhunë verbale të jashtëzakonshme ndaj një gruaje zonjë”, u shpreh ajo.
Gjithashtu ajo theksoi se dhuna në Komision ka marrë përmasat e një ‘dramë shoqërore’.
“Dhuna është mjeti i fundit, dhe duhet mënjanuar nëse duam të arrijmë diçka, deputetët e opozitës nuk mund t’i qasen me dhunë qytetarëve sepse është ajo çfarë nuk duan. Sot duhet të themi me forcë, se cila është arsyeja që këta deputetë, bënë një sjellje të tillë ndaj një zonje si Flutura Açka. Ajo që pamë sot është vetëm vazhdimi i asaj që gjithë anëtarësia e PD që nuk mendojmë njësoj si Noka, të shohim të tillë shembujsh. PD është ende në një betejë të brendshme. Dhuna duhet të frenohet. Është një sulm i komanduar. Zonja Açka ka qenë një ndër debatueset më të ashpra ndaj zotit Rama dhe ta quash patericë të zotit Rama, nuk eshte e drejtë. Shoqëria shqiptare ka nevojë për një reflektim të thellë, të ngresh zërin ndaja tij që duket i pafuqishëm nuk do të thotë se ke të drejtë. Më shumë se sa një masë disiplinore unë do të doja një reagim publik. Mendoj që reagimi qytetar është shumë i rëndësishëm ku sot Parlamenti ku ne duhet të kërkojmë ndihmë, është kthyer në një gjenerues të dhunës”, përfundoi Jupi.
/abcnews.al/