Gazetari Ardit Rada deklaroi në emisionin “Ora e Fundit” në ABC News se presionet e Endri Shabanit ndaj Adriatik Lapajt kanë qenë të nevojshme.
Sipas tij, fryma e berishizmit ka prekur edhe koalicionet e opozitës së re dhe këtu duhet zotësia si të tejkalohen të tilla ngërçe.
Për Emilian Islamin në ABC News, Rada tha se ndonjëherë duhen mjete jodemokratike për të vendosur standarde demokratike.
“Unë mendoj se ka diçka përtej mandatit sepse përndryshe konflikti nuk do të niste dy muaj pas zgjedhjeve. Duhet të kuptojmë që nuk luhet vetëm për një mandat, por cila parti do shpallet parlamentare dhe do marrë benefitet e ligjit. E të tjera si këto. Mirëpo duket sikur Lapaj e ka shpallur rezultatin e 11 Majit si fitore personale, ka dashur ta monopolizojë fitoren nëse mund ta quajmë kështu. Në këtë moment lind nevoja e mjeteve jodemokratike për të vendosur standarde demokratike. Lapaj me aq pak dalje publike që ka patur, ka shfaqur tendenca monopolizuese të suksesit të koalicionit. Ndonjëherë duhen lëvizje të tilla, si presioni i Nismës Thurje, për të vendosur disa kufij.
Revolucioni Francez apo Carta Magna, kanë përfunduar me prerjen e kokës së mbretit si e vetmja mënyrë për të vendosur demokracinë. Sepse del njëri që mendon se është më i mirë se të tjerët dhe pastaj lind nevoja të reagojnë të tjerët t’ia bëjnë të qartë që në koalicion s’ka sukses individual, aq më tepër në një koalicion të voglë si Nisma Shqipëria Bëhet. Pra Adriatik Lapaj i vetëm s’e bën dot Shqipërinë dhe Nismën Shqipëria Bëhet s’e përfaqëson vetëm Adriartik Lapaj.
Presioni i Nismës Thurje është në thelb një mentalitet përtej Berishizmit, që edhe kur është 83 vjec njerëzit thonë: Vetëm ky mund ta bëjë! Ngaqë opozita e madhe s’e ka bërë dot këtë shkëputje, ndaj kemi rezultatin që shumë kanë ikur nga kjo parti. Ndaj do uroja që këtë fat të mos e kishte dhe opozita e re…” – tha gazetari Ardit Rada në “Ora e Fundit” të ABC News.

