Arrestohet një 53 vjeçar në Ersekë pasi është aksidentuar duke drejtuar makinën në gjendje të dehur.
“Specialistët e Sektorit për Policinë Rrugore, bënë arrestimin në flagrancë për veprën penale “Drejtimi i automjetit në mënyrë të parregullt”, të shtetasit S. Sh., 53 vjeç, banues në Ersekë, pasi në qytetin e Ersekës, ky shtetas duke drejtuar mjetin tip “Ford”, është përplasur me murin rrethues të një objekti, duke shkaktuar dëme materiale. Pas kryerjes së kontrollit, rezultoi se 53-vjeçari, drejtonte mjetin në gjendje të dehur”, thotë policia.
Një tjetër është arrestuar në fshatin Lakanesh të Pogradecit ditën e sotme, pasi ka ushtruar dhunë fizike ndaj xhaxhait të tij. Nga blutë e Pogradecit bëhet me dije se ky shtetas akuzohet për veprën penale të “Dhunës në familje” pasi ka goditur me sende të forta xhaxhanë e tij.
Në Korçë është arrestuar edhe një i ri, si dhe është shpallur në kërkim një tjetër pasi kanë vjedhur një objekt antik.
“Specialistët për Hetimin e Krimeve në Komisariatin e Policisë Korçë, bënë arrestimin në flagrancë për veprën penale “Vjedhja” e kryer në bashkëpunim, të shtetasit E. Z., 28 vjeç dhe shpallën në kërkim shtetasin V. B., 37 vjeç, banues në Korçë, pasi këta shtetas, në lagjen nr. 3, Korçë, kanë vjedhur në banesën e shtetases M. A., një objekt antik prej bakri me vlerë 30 000 lekë”, thuhet në njoftim.
Materialet i kaluan Prokurorive të Rretheve Gjyqësore Pogradec dhe Korçë për veprime të mëtejshme.