Përplasen dy ish-ministra me të burgosur në burgun e Shkupit

schedule16:43 - 22 Shkurt, 2019

schedule 16:43 - 22 Shkurt, 2019

Pas incidentit në burgun e Shkupit ku dy-ish ministra u përplasën fizikisht me dy të burgosur të tjerë, kryeministri Zaev ka kërkuar dorëheqjen e drejtorit të burgut. Ndërkohë nuk kanë munguar as akuzat e kundërakuzat politike.

Dy ish-ministra të qeverisë Gruevski, të cilët janë në paraburgim në Shutkë, për shkak dyshimeve se janë organizatorët e ngjarjeve të 27 Prillit, janë sulmuar mbrëmë fizikisht në burgun e Shkupit. Sipas zyrtarëve, ata janë sulmuar nga një i burgosur nga rasti “Lagja e Trimave”, i cili në të njëjtën kohë është gjetur në oborrin e burgut. Sulmi është bërë jashtë, gjatë kohës së shëtitjes së rregullt nga një orë që e kanë të gjithë personat e burgosur. Incidenti në fjalë kja shkaktuar reagime dhe përplasje mes dy forcave më të mëdha politike në Maqedoninë e Veriut, kurse kryeministri Zaev kërkoi përgjegjësi nga zyrtarët e Burgut.

Nuk ka  lëndime trupore, por vetëm dezinformata që shkaktuan akuza të rënda politike. Ky është epilogu i dy incidenteve të ndara në burgun hetues në Shkup, ku kishin marrë pjesë dy ish-ministrat Mile Janakievski dhe Spiro Ristovski. Drejtori i burgut, duke u thirrur në deklarata të dëshmitarëve okularë, ka theksuar se dy ish-ministrat kanë filluar një zënkë verbale me të dënuarit e Grupit të Kumanovës që më vonë ka kaluar në një përplasje të lehtë fizike. Incidentet ashpërsuan retorikën e opozitës në Maqedoninë e Veriut. Lideri i VMRO-DPMNE-së Hristijan Mickoski ka vizituar Spitalin ku ka qenë i shtruar ish-ministri Janakievski dhe u ankua se nuk i është lejuar vizita. Ai ka tentuar me dhunë të futet në dhomat e spitalit.

Hristijan Mickoski: “Nuk më lejuan ta vizitoj Janakievskin, e as dikush nga Spitali na sqaroi se cka po ndodh dhe si do të zhvillohen ngjarjet. Ndodhi një ngjarje e rëndë para dhomës së Janakievskit ku policia me direktivë të dikujt nuk na lejoi vizitën”.

Kryeministri Zoran Zaev dhe Ministrja e Drejtësisë, Renata Deskoska, kanë dënuar këtë akt duke kërkuar përgjegjësi nga drejtori i burgut.

Zoran Zaev: “Të ndodhin dy incidente të ndara brenda 45 minutave  do të thotë se dikush nuk e ka kryer punën. Dhe për këtë shkak, pres që deri të hënën Drejtori të jep dorëheqje”.

Në opinion ka shumë spekulime lidhur me ngjarjen e mbrëmshme. Disa dyshojnë se është skenar i planifikuar që të rezultojë me arrest shtëpiak për ish-ministrat, të tjerët thonë se ata janë të manipuluar që të konfirmohet teza e ish-kryeministrit se është arratisur për shkak të cënimit të jetës së tij në burg, kurse të tretët vlerësojnë se bëhet fjalë për revanshizëm të pastër.

Mos rri jashtë: bashkohu me ABC News. Ne jemi kudo!