Presidenti Donald Trump, i cili po dështon në sfidat e tij ligjore të rinumërimit të votave që tregojnë se presidenti i zgjedhur Joe Biden fitoi zgjedhjet presidenciale, ka ftuar të premten në Shtëpinë e Bardhë ligjvënësit kryesorë republikanë nga shteti i Michiganit.
Nuk është e qartë se çfarë do të diskutoje presidenti Trump me ligjvënësit e Miçiganit ose sa prej tyre mund të vijnë në Uashington.
Të enjten avokatët e presidentit Trump hoqën dorë nga sfida e tyre ligjore për rezultatin në Michigan. Ftesa e pazakontë për ligjvënësit e këtij shteti, vjen ndërsa ekipi ligjor i fushatës së Trump po ndjek rrugë të ndryshme për të përmbysur rezultatet në shtetet kryesore ku Trump ka humbur.
Joe Biden fitoi garën në Michigan me më shumë se 150,000 vota dhe duket se do të marrë 16 votat elektorale të këtij shteti në Kolegjin Zgjedhor. Votat elektorale të Michganit janë të rëndësishme në totalin e më shumë se 270 votave që Biden ka grumbulluar jo-zyrtarisht në Kolegjin Zgjedhor me 538 anëtarë, i cili përcakton rezultatin e zgjedhjeve presidenciale amerikane.
Nëse bordi i zgjedhjeve të Michganit nuk çertifikon fitoren e Biden deri të hënën, legjislaturës së këtij shteti të kontrolluar nga republikanët, mund t’i kërkohet të ndërhyjë dhe të emërojë mbështetësit eTrump si 16 elektorët e shtetit, në kundërshtim me vullnetin e shumicës së votuesve në këtë shtet.
Një përpjekje e tillë do të ishte e pashembullt në historinë e politikës moderne të Shteteve të Bashkuara.
Në fillim të kësaj jave, udhëheqësi i shumicës republikane në senatin e shtetit të Mihiganit, Mike Shirkey tha se Biden është presidenti i zgjedhur. Sipas gazetës lokale Bridge Michigan, Shirkey tha se çdo përpjekje për t’i dhënë Presidentit Trump votat elektorale të Michganit nuk “do të materializohet”.
Ndërsa Presidenti Trump është pas për nga numri i votave në disa shtete kryesore më shumë se dy javë pas zgjedhjeve të 3 nëntorit, avokatët e tij kanë ngritur padi të shumta ligjore duke pretenduar për mashtrim votash dhe parregullsi në numërimin e votave.
Një pjesë e çështjeve ligjore janë ende në pritje, por gjykatësit kanë hedhur poshtë pjesën tjetër, duke e lënë Trump-in të përballet me mundësinë për t’u bërë presidenti i tretë amerikan, në katër dekadat e fundit që humbet garën e tij për t’u rizgjedhur pas një mandati të vetëm në Shtëpinë e Bardhë. Inaugurimi i Biden është planifikuar për më 20 janar.
Që nga zgjedhjet e 3 nëntorit, presidenti Trump është shfaqur shumë rrallë në publik, ndërsa ka postuar dhjetëra komente në Twitter nga Shtëpia e Bardhë duke pretenduar se ai i fitoi zgjedhjet dhe se votimi ishte manipuluar kundër tij.
Një rinumërim i votave në shtetin jugor të Georgias që përfundoi të mërkurën vonë ngushtoi avantazhin e Biden nga pak më shumë 14,000 vota në 12,781. Biden duket se do jetë fituesi i16 votave elektorale të këtij shtetit kur votimi të çertifikohet.
Michigani dhe Georgia janë dy nga pesë shtetet – së bashku me Pensilvaninë, Uiskonsinin dhe Arizonën – që Presidenti Trump arriti t’i fitojë në vitin 2016 ndaj rivales Hillary Clinton, por që Biden i kaloi përsëri të favor të demokratëve.
Joe Biden ka një avantazh 306-232 në Kolegjin Zgjedhor, anëtarët e të cilit do të votojnë më 14 dhjetor. Presidentit Trump i duhet të përmbysë epërsinë e votave që ka Biden në disa shtete, në mënyrë që të pretendojë fitoren e një mandati të dytë./abcnews.al