Përpjekja e fundit për të sfiduar autoritetin qendror, Dodik padit veten

schedule14:39 - 30 Qershor, 2023

schedule 14:39 - 30 Qershor, 2023

Lideri i entitetit serb në Bosnje njoftoi ka ngritur padi ndaj vetes dhe ndaj disa zyrtarëve të tjerë të lartë, në përpjekjen e tij të fundit për të sfiduar autoritetin qendror të shtetit.

Millorad Dodik, president i entitetit të Republikës Sërpska, njoftoi se ka ngritur padi penale ndaj vetes, kryetarit të Parlamentit boshnjak dhe dhjetëra ligjvënësve lidhur me legjislacionin që rregullon kompetencat e zyrtarëve.

Lëvizja e Dodikut është pjesë e rezistencës së kamotshme ndaj autoriteteve qendrore të Bosnjës dhe është pjesë e një mospajtimi lidhur me votimin në Asamblenë e Republikës Sërpska për të mos njohur më vendimet e Gjykatës Kushtetuese të Bosnjës.

Më 27 qershor, Asambleja e Republikës Sërpska votoi një sërë hapash të orkestruara nga Dodiku dhe aleatët e tij serbë, që synojnë të refuzojnë strukturat e ndarjes së pushtetit që ekzistojnë në Bosnje. Këto ndarje të pushtetit janë përcaktuar në Marrëveshjen e Dejtonit që i dha fund luftës në Bosnje.

Marrëveshja e arritur më 1995 ka ndarë funksionet qeveritare, administrative dhe funksionet e tjera përmes vijave etnike mes shumicës boshnjake, serbe dhe kroate.

Legjislacioni që ka marrë mbështetjen e Dhomës së Ulët të Parlamentit të Republikës Sërpska, duhet të marrë edhe mbështetjen e Dhomës së Lartë dhe miratimin e nivelit presidencial në këtë entitet.

Nëse merr këtë mbështetje, legjislacioni mund të hyjë në fuqi në gusht. Nëse ndodh kjo, atëherë do të ishte një goditje për kontrollet e pushteteve në Bosnje.

Përfaqësuesi i lartë ndërkombëtar në Bosnje, Christian Schmidt, po ashtu mund të anulojë legjislacionin, për të ofruar funksionim të institucioneve civile në Bosnje e Hercegovinë.

Gjykata Kushtetuese e Bosnjes po ashtu mund të shfuqizojë legjislacionin pasi ai të hyjë në fuqi, por Dodik dhe aleatët e tij me shumë gjasa do ta sfidonin autoritetin e këtij institucioni.

Ministria e Jashtme gjermane tha më 30 qershor se lëvizja e fundit e Asamblesë së Republikës Sërpska për të injoruar vendimet e Gjykatës Kushtetuese boshnjake “shkelin frymën e kushtetutës së shtetit dhe Marrëveshjes së Paqes së vitit 1995”.

Zëdhënësi i kësaj ministrie, Christofer Burger, paralajmëroi se votimi “është një hap më tej serioz drejt shkëputjes nga identifikimi me shtetin si tërësi” dhe tha se kjo “kërcënon unitetin dhe integritetin territorial të shtetit”.

Burger shtoi se këto veprime rrezikojnë statusin e vendit kandidat për në Bashkimin Evropian që Bosnja fitoi dhjetorin e kaluar.

Edhe më herët, Dodik ka ngritur padi ndaj vetes për të tentuar që të përçojë një mesazh më të gjerë politik. Tetë vjet më parë, ai ngriti një padi penale kundër vetes për t’u tallur me akuzat e opozitës se ai ishte i korruptuar.

Më 2017, djali i tij, Igori, ngriti padi penale ndaj vetes si gjoja “bashkëfajtor” me babanë e tij për organizimin e ngjarjeve të Ditës së Republikës Sërpska, festë që është e ndaluar./REL

Mos rri jashtë: bashkohu me ABC News. Ne jemi kudo!